Turqia ka hequr bllokadën ndaj Finlandës dhe Suedisë, duke u hapur kështu rrugë këtyre dy vendeve për anëtarësim në NATO.
Të tri shtetet kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi sot në Madrid të Spanjës, në kohën kur po mbahet samiti i NATO-s.
Marrëveshja i hap rrugë dy shteteve nordike që t’i bashkohen aleancës ushtarake më të madhe në botë, në një kohë tensionesh që kërcënojnë paqen globale, si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Lajmin për arritjen e marrëveshjes e ka bërë të ditur Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, i cili e shpërndau deklaratën në Twitter.
“Një hap përpara”, shkroi ai.
Niinisto tha se përparimi erdhi pasi të tre vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët “për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit”.
Ndryshe, pushtimi rus në Ukrainë ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të aplikojnë për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.
Mirëpo presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kishte thënë se është kundër pranimit të këtyre dy shteteve në NATO, duke përmendur atë që e konsideron mbështetje nga ana e tyre për “organizata terroriste”.
Me këtë deklaratë ai u referohej organizatave të ndaluara, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe milicisë kurde, Njësitet për Mbrojtje të Popullit (YPG) në Siri.