Ulja e pagave, vetëm sot në Prishtinë u shtynë rreth 150 seanca gjyqësore – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ulja e pagave, vetëm sot në Prishtinë u shtynë rreth 150 seanca gjyqësore

17:25 | 24 Nëntor 2022

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të enjte janë shtyrë 150 seanca gjyqësore, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët.

Në këtë shifër nuk janë përfshirë seancat gjyqësore që janë shtyrë në katër degët e kësaj gjykate; në Graçanicë, Podujevë, Lipjan dhe Drenas.

Kështu ka bërë të ditur Mirlinda Gashi – zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, numri i seancave të cilat janë shtyrë pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, është rreth 150 seanca. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë ajo për telegrafin.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë Haradinaj që më 2017 i pati rritur për gati dyfish. Vendimi është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian, shoqëria civile e opozita.

Ndërsa, gjykatat po ofrojnë vetëm shërbime esenciale, bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që do të zbatohet deri më 8 dhjetor.

Komento: