Uran Ismaili: Qeveria Kurti e ka futur Kosovën në krizë ekonomike dhe sociale

23:55 | 20 Maj 2026
uran-ismaili:-qeveria-kurti-e-ka-futur-kosoven-ne-krize-ekonomike-dhe-sociale

Në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Uran Ismaili ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për, siç tha ai, menaxhim të dobët ekonomik dhe mungesë të investimeve publike.

Ismaili deklaroi se inflacioni në Kosovë ka qenë shumë më i lartë krahasuar me vendet e rajonit, duke përmendur Shqipërinë si shembull, derisa shtoi se qytetarët po përballen me çmime të larta dhe faturat e rrymës.

Sipas tij, nga viti 2021 deri në vitin 2024, Qeveria ka planifikuar mbi 1 miliard euro investime kapitale, por ato nuk janë realizuar.

“Vetë i kanë planifikuar dhe nuk i kanë realizuar. Në çdo euro të investuar nga buxheti i Kosovës, inkurajohen edhe 0.74 euro investime nga sektori privat. Nëse nuk investohen 1 miliard euro, humben edhe qindra milionë euro nga sektori privat”, tha Ismaili.

Ai theksoi se gjendja ekonomike dhe sociale në vend është rënduar pikërisht për shkak të mungesës së investimeve dhe krizës politike.

Sipas Ismailit, “kriza në Kosovë nuk është importuar nga Ukraina”, por, siç u shpreh ai, është “e shkaktuar nga kryeministri Albin Kurti”.

Në fund, ai bëri thirrje për ndryshim politik, duke deklaruar se “me 7 qershor duhet t’i thuhet stop krizës”.

Komento: