Vazhdojnë kolonat e gjata në Prishtinë

18:30 | 23 Prill 2022

Sërish shihet kolona të gjata në Prishtinë.

Gjatë ditës së sotme, Komuna e Prishtinës ka testuar shndërrimin e gjithë unazës qendrore të Prishtinës në qarkore njëkahëshe për automjetet.

Për pasojë kolonat kanë qenë të gjata dhe janë duke vazhduar gjatë gjithë ditës në rrugët e Prishtinës.

Ky testim ka filluar sot që nga orët e mëngjesit, ndërkohë që shumë shoferë janë ankuar se kjo gjë vetëm se po e bën trafikun më të dendur.

Testimi po bëhet në vendim të komunës së Prishtinës dhe do vazhdojë edhe nesër.

Rrugët që po funksionojnë në mënyrë njëkahëshe janë rruga “Agim Ramadani”, rruga “UÇK”, rruga “Migjeni”, rruga “Luan Haradinaj”, rruga “Garibaldi”, rruga “George Bush” dhe rruga “Eqrem Çabej”.

Lidhur me këtë testim ka pasur ankesa të shumta, madje edhe është kërkuar që të mos vazhdojë. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e ka cilësuar testim pa rezultat të qartë, organizimin një kahor të rrugëve në Prishtinë për sot dhe nesër.

Tahiri tha se edhe pse qëllimi i deklaruar ka qenë të çështja ambientale, sipas tij me këtë rregullim është krijuar tollovi. Ai ka kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama që të anulojë menjëherë këtë vendim.

“Organizimi një kahor i rrugëve (unazë të brendshme) në kryeqytet, del të jetë një testim pa rezultat të qartë dhe në fakt me ndikim negativ. Të tilla testime, kur nuk janë të mirëmenduara e planifikuara rrezikojnë legjitimitetin e veprimeve të ardhshme për Mobilitetin Urban. Edhe pse qëllimi i deklaruar, del të jetë ambiental, tollovia e shkaktuar nuk i shërben kësaj. Aq më tepër, kur rritja e qëndrimit në rrugë (kolona) rrit ndjeshëm ndotjen, e dihet se një ditë e zakonshme gjatë vikendit, bllokada dhe frekuenca është ndjeshëm më e ulët. Ky veprim, e të tilla duhet anuluar menjëherë nga Kryetari Rama, në mënyrë që t’u hapet rrugë veprimeve të planifikuara mirë”, ka shkruar Tahiri në një postim në “Facebook”.

Komento: