Policia e Kosovës ka njoftuar se në veri të vendit, mbrëmë janë djegur edhe tri vetura të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës.
Sipas policisë veturat e djegura u përkasin banorëve të nacionalitetit serb që jetojnë në këtë pjesë të vendit.
Dy vetura ishin djegur edhe një ditë më parë.
“Me 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri.
Pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).
Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, njofton Policia.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet ‘zjarrvënie’ për procedura të mëtejme hetimore.
Që nga shtatori i vitit të kaluar, në veri të Kosovës janë regjistruar raste të shumta të djegies së veturave të qytetarëve serbë që kanë konvertuar targat e veturave të tyre, nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS.