Vdes 33-vjeçari, Urgjenca e Spitalit Amerikan nuk i jep ndihmë

21:39 | 17 Mars 2022

Një 33-vjeçar iranian ka vdekur dje (të mërkurën) në ambientet e Spitalit Amerikan 3, në Tiranë, ndërkohë që dyshohet se ai nuk ka marrë ndihmë mjekësore nga stafi i spitalit.

“Boldnews.al” ka mësuar se i riu është paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka kërkuar ndihmën e specializuar mjekësore.

Një mjeke, e cila e ka parë në ambientet e Spitalit, ka njoftuar Shërbimin e Urgjencës, për të vlerësuar situatën dhe për t’i dhënë trajtimin e duhur.

Por, nga stafi i Urgjencës 33-vjeçari iranian është vlerësuar si një person nën efektin e alkoolit dhe nuk i kanë dhënë asistencën e nevojshme.

Por, pak minuta më vonë ai ka ndërruar jetë në një prej dhomave, në katin e parë të godinës.

Trupi i pajetë është gjetur nga një prej sanitareve të Spitalit Amerikan 3. Ajo, e shokuar, ka njoftuar menjëherë stafin mjekësor.

Por ishte shumë vonë.

33-vjeçari është gjetur pa shenja jete, ndërkohë që kishte shkumëzuar nga goja.

Dyshimet paraprake janë se shtetasi iranian mund të ketë qenë nën efektin e narkotikëve.

Megjithatë, ai mund të ishte në jetë, në rast se stafi mjekësor i spitalit privat do të ishte përkushtuar për t’i dhënë ndihmën paraprake.

Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare mbi këtë ngjarje.

Ndërkohë, as nga Policia e Shtetit nuk është dhënë asnjë njoftim për episodin e rëndë të ndodhur në ambientet e Spitalit Amerikan 3.

Komento: