Vdes nga koronavirusi ish-hendbollisti i njohur kosovar

17:59 | 25 Korrik 2020

Ish-hendbollisti 58-vjeçar vdiq shkaku i infektimit me Covid-19.

Kushëriri i ish-hendbollistit dhe trajnerit të njohur kosovar Afrim Qorrollit ka bërë të ditur se 58-vjeçari vdiq pas infektimit me virusin Covid-19.

Federata e Hendbollit e Kosovës njoftoi sot se ish-hendbollisti nga fshati Rashincë i Shtimes ndërroi jetë sot, në moshën 58-vjeçare.

E përderisa FHK-ja nuk njoftoi për shkakun e vdekjes, kushëriri i tij, Milazim Qorrolli, bëri të ditur se ish-portieri i Vjosës vdiq shkaku i infektimit me Covid-19.

“Vdekja jote na tronditi Afrim Qorrolli, kushëriri im i dashur! virusi që ka kapluar botën ishte i pa mëshirshëm dhe të mori jetën!”, shkroi Milazim Qorrolli në Facebook.

“Vështirë të shkruash fjalë përkujtimi për ty ! ike e na le pergjithmonë të pikëlluar!”

“ishe i hareshem e sharmant, aty ku ishe ti gjithmonë mbretëronte gjallëria e atmosfera, kishe aq shumë energji pozitive, ishe i dashur për të gjithë, ishe sportist, prind, vëlla e kusheri i dashur! U prefshë në paqe o sharmanti jonë”.

Afrim Qorrolli ishte i lindur në Rashincë të Shtimes më 28 nëntor të vitit 1961. Kishte të kryer Fakultetin e Bujqësisë. Qorrolli ishte ngushtë i lidhur me klubin e Vjosës së Shtimes.

Karrierën në hendboll e kishte nisur te Vjosa në vitin 1976. Ishte inkuadruar për herë të parë në ndeshjen Lepenci – Vjosa. Deri në vitin 1990 ishte portier, por në mungesë të lojtarëve është aktivizuar edhe në pozita tjera si qendër, alo e bek. Në vitin 1991 ishte shpallur hendbollist i vitit nga Lidhja e Pavarur e Sporteve dhe po ashtu sportist i vitit në komunën e Shtimes. Me mirënjohje ishte shpërblyer edhe në vitet 1993, 1995, 1997 dhe 2000.

Ai ka qenë pjesë e të gjitha sukseseve të klubit Vjosa. Ishte lojtari me më së shumti paraqitje te Vjosa. Në vitin 2008 përfundoi karrierën si lojtar, por mbeti pjesë e rëndësishme e klubit Vjosa.

Në moshë të re kishte nisur të mësojë zejen e trajnerit. Kishte udhëhequr Vjosën si trajner në edicionet 1981\82 dhe 1982\83. Ka punuar edhe në shkollën e hendbollit të Vjosës si ndihmës trajner.

Në vitet nëntëdhjeta ka mbajtur poste të ndryshme të udhëheqësit sportiv në Komunën e Shtimes. Do të mbahet në mend edhe për aktivizimin e shumë klubeve sportive në Shtime. Ka udhëhequr Vjosën (femrat) në faza të ndryshme.

Komento: