Vendimi i Apelit për Sali Mustafën më 14 dhjetor/ Avokati i akredituar i Speciales: Pres që rasti të kthehet në rigjykim

08:09 | 10 Dhjetor 2023
vendimi-i-apelit-per-sali-mustafen-me-14-dhjetor/-avokati-i-akredituar-i-speciales:-pres-qe-rasti-te-kthehet-ne-rigjykim

Më 14 dhjetor të këtij viti paneli i Gjykatës së Apelit do ta shqiptojë aktgjykimin në rastin e Salih Mustafës.

Vendimi në këtë rast gjyqësor do të mbahet në seancë publike, duke filluar nga ora 9:30, shkruan Front Online.

Salih Mustafa ka paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues me 26 vite burg të shqiptuar ndaj tij nga Gjykata Speciale më 16 dhjetor 2022.

Në seancën e mbajtur 26 tetor, mbrojtja e Salih Mustafës përmes avokatit Julius Von Bone ka thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës.

Po ashtu, mbrojtja pretendoi se trupi gjykues ka bërë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në rasti e shqiptimit të dënimit. Me këtë rast, avokati Von Bone ka kërkuar nga Apeli interpretim të Kushtetutës.

Por, se a pritet në seancën e 14 dhjetorit të ketë ulje të dënimit ndaj Sali Mustafës, për Front Online ka folur avokati i Akredituar i Speciales, Artan Qerkini.

Ai ka thënë se pret aprovim të ankesës.

“Natyrisht se pres aprovim të ankesës dhe kthimin e rastit në rigjykim, ose minimalisht zbutje drastike te sanksionit penal”, ka thënë Qerkini për Front Online.

Sipas tij dënimi prej 26 vjetësh ndaj Mustafës është shumë i lartë.

“Dënimi është shumë i lartë për shkakun se nuk ka marrë parasysh një mori rrethanash lehtësuese të cilat është dashur gjithsesi të peshohen gjatë matjes së dënimit”, ka shtuar ndër të tjera Qerkini.

Ndryshe, aktgjykimi ndaj Sali Mustafës ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim./Front Online

Komento: