Vendimi për dinarin, a do të zbutet Kurti pas “tërheqjes së veshit” që i bënë ndërkombëtarët?

12:26 | 06 Shkurt 2024

Rregullorja e re e BQK-së tashmë ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti, e që valutë të vetme në Kosovë lejon vetëm euro, duke ndaluar kështu përdorimin e dinarit serb.

Një gjë e tillë ka shkaktuar pakënaqësi te bashkësia ndërkombëtare ku reagimet e tyre kanë qenë të menjëhershme. Madje pak ditë para se të hynte në fuqi kjo rregullore, vendet e QUINT-it përmes një deklarate të lëshuar kërkuan shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje, derisa nga Brukseli kërkuan që kjo çështje të flitet në Bruksel, kurse nga DASH u shpreh i zhgënjyer me Kosovën për zbatimin e këtij vendimi, shkruan Reporteri.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë theksuar janë të shqetësuar për ndikimin e rregullores së re në veçanti në shkolla dhe spitale, ndërsa kanë thënë se kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut.

Nga Bashkimi Evropian u shprehën të shqetësuar për pasojat që ky vendim vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën “për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake”.

“BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment. Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre”, u tha në deklaratën e BE-së, ditë më parë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, u tha në një përgjigje të DASH për Zërin e Amerikës.

DASH kërkoi nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.

Pas këtyre kërkesave, Kryeministri i vendit, Albin Kurti ditën e djeshme mblodhi në Qeveri të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovës, ku fokus në këtë takim ishte rregullorja e re e BQK-së.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili pati edhe të enjten e kaluar një takim me Kurtin për çështjen e dinarit, theksoi sërish qëndrimin e ShBA-së për shtyrjen e vendimit.

Madje, Hovenier kur u pyt nëse ka pasur ndonjë lëvizje nga Kurti gjatë këtij takimi, ai tha se do të lërë Qeverinë të flas.

Poashtu ambasadori amerikan tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë partnere me ShBA-në, pasi në të kundërt nëse nuk dëgjohen do të ketë ndikimin në kualitetin e partneritetit me ta.

Pas takimit me ambasadorët e akredituar, Kryeministri Kurti tha se rregullorja e re nuk ka cak ndalimin e dinarit.

“Kryeministri tha se as situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia. Rreth 40 mijë qytetarё serbё në Kosovë kanë llogari bankare në njërën nga bankat e licencuara në Kosovë. Përmes tyre ata pranojnë pensione, mbështetje sociale, paga mujore, shtesa për fëmijë e lehona, e shtesa tё tjera të njëhershme nga thesari i shtetit të Kosovës”, u tha në njoftimin e ZKM-së.

Për këtë foli dje edhe Presidentja, Vjosa Osmani e cila tha se rregullorja e BQK-së nuk e përmend dhe nuk është kundër dinarit, ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave.

“Aleatët tanë i kemi në krah, asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kushtetutës së Kosovës, asnjëherë nuk kanë qenë pro dinarit serb, asnjëherë nuk kanë qenë kundër sundimit të ligjit përkundrazi këtë Kushtetutë dhe çdo sukses që e kemi arritur e kemi arritur bashkë me aleatët tanë, ShBA-në dhe Gjermaninë”.

“Unë nuk shoh asgjë abnormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve tanë në gjetjen e rrugëve efektive që do të informoheshin qytetarët se si të zbatohet rregullorja e BQK-së, e cila nuk është rregullore kundër dinarit, nuk e përmend dinarin, por është rregullore që ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave, është rregullore që ka të bëjë me parandalimin e korrupsionit e shumë e shumë masa të tjera që janë paraparë aty”, tha Osmani.

Rregullorja e re e BQK-së thekson se valutat e tjera që nuk janë euro mundë të përdoren vetëm si gjëra me vlerë për t’u ruajtur në formë fizike, në llogari bankare për qëllime valutore.

Banka Qendrore e Kosovës ka potencuar se ky vendim ka të bëjë me ruajtjen e sistemit financiar.

BQK thekson se valuta e vetme do të jetë euro, por Rregullorja në fjalë nuk kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk ndalon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK.

Komento: