Vetëm gjatë verës, diaspora shpenzoi rreth 300 milionë euro në Kosovë

09:33 | 17 Gusht 2021

Lirim Krasniqi nga Organizata joqeveritare Germin, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, vlerëson se nga fundi i muajit qershor deri në fillim të muajit gusht, rreth 1 milion qytetarë nga diaspora kanë ardhur në Kosovë.

Ai tregon se në rastin më të mirë, shpenzimet e tyre gjatë sezonit të verës, sipas vlerësimeve të bëra, arrijnë shifrën e 500 milionë euro.

“Sipas një vlerësimi që kemi bërë, në rastin më të keq të mundshëm, diaspora ka shpenzuar rreth 300 milionë euro gjatë vizitave që janë bërë në Kosovë gjatë muajve të verës. Në rastin më të mirë, ajo shifër mund të shkojë deri në 500 milionë euro. Cilido rast, është shifër e lartë dhe infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë kur disa biznese kishin regjistruar humbje të mëdha për shkak të mbylljes së përkohshme nga masat COVID-19”, thotë Krasniqi.

Përveç shpenzimeve që diaspora e Kosovës bën gjatë sezonit të verës, çdo vit Kosova pranon remitenca. Vetëm vitin e kaluar mjetet e ardhura nga diaspora kanë kapur vlerën prej 980.1 milionë euro.

Numër rekord i hyrjeve në Kosovë

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i personave që ka hyrë në Kosovë përmes transportit rrugor dhe ajror gjatë muajit korrik dhe gusht ka shënuar rritje.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë theksohet se derisa në muajin qershor numri i personave që kanë hyrë përmes transportit rrugorë ka qenë 1.858,533, në muajin korrik është rritur për 1.032,318.

Ndërsa, vetëm brenda 15 ditëve të muajit gusht në Kosovë kanë hyrë 1.409,502 persona.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” numri i udhëtarëve në muajin korrik ishte 340.446. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2019, ka pasur rritje për 60.433 udhëtarë.

Në 15 ditë të muajit gusht janë realizuar 738 fluturime me 91.634 udhëtarë.

Rriten të hyrat tatimore dhe doganore

Se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje ka theksuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Duke bërë një krahasim me vitin e kaluar, Kurti ka thënë se vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti qarkullimi i bizneseve ka shënuar rritje për 46 për qind.

Ky krahasim ka hasur në reagime nga opozita.

Ish-ministrja e Financave nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami thekson se nuk bëhen krahasime me vitin e kaluar kur vendi ishte i mbyllur për shkak të pandemisë.

“Normal se ka 37 për qind më shumë TVSH të mbledhur se vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur. Normal se ka 95 për qind më shumë tatim në pronë të mbledhur këtë vit, sepse vitin e kaluar, qytetarët për shkak të mbylljes as që kanë pasur mundësi ta paguajnë tatimin në pronë”, ka shkruar Bajrami në rrjetin social Facebook.

Megjithatë, nëse të dhënat krahasohen edhe më vitin 2019, shihet se ka pasur ngritje të të hyrave që mblidhen brenda vendit dhe në kufi.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit të vitit 2019 të hyrat tatimore në Kosovë kanë qenë në vlerë prej 239.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 totali i të hyrave kap vlerën e 290.3 milionë euro.

Edhe të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se ka pasur rritje të të hyrave. Derisa në periudhën janar-korrik 2019 të hyrat ishin 613 milionë euro, në periudhën e njëjtë të këtij viti të hyrat janë 740 milionë euro. /rel

Komento: