
VV-ja fton Hotin të raportojë në Kuvend për “Zajednicën”.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë ftuar kryeministrin Avdullah Hoti në raportim përpara Komisionit për Legjislacion.
Sipas njoftimit të VV-së, Hoti ftohet për “paralajmërimet e tij për zbatimin e marrëveshjes kundërkushtetuese për themelimin e Zajednicës’”.
“Sot, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, anëtarë të Komisionit për Legjislacion kanë dorëzuar kërkesën për të ftuar në raportim para komisionit Avdullah Hotin lidhur me deklarimet e tij se do të zbatohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përkundër se Gjykata Kushtetuese kishte gjetur dhe konstatuar se kjo marrëveshje bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 nene”, thuhet në njoftimin.
VV shkruan tutje se qëndrimi i Hotit se do të respektohet marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është tendencë për ta vënë marrëveshjen për “Zajednicën” mbi Kushtetutën dhe rendin kushtetues.
“Politikisht kjo marrëveshje bosnjëzon Kosovën dhe vendosë konditat për ndarje dhe defunksionalizim të shtetit të Kosovës, kurse në kuptimin kushtetues rrënon rendin kushtetues. Zajednica është projekt i vdekur, i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese pas kundërshtimit qytetarë dhe opozitarë. Avdullah Hoti nuk mund t’i imponojë Kosovës dhe popullit të saj një projekt kundërkushtetues dhe që rrënon mundësinë për një shtet unitar dhe funksional”, thuhet më tej.
