Vetëvendosje s’do ta pranojë ofertën e LDK-së – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Vetëvendosje s’do ta pranojë ofertën e LDK-së

19:46 | 15 Janar 2020

Përkundër shumë takimeve, nuk është arritur një marrëveshje koalicioni mes LDK dhe VV-së.

Burime të sigurta nga takimet VV-LDK, të afërta me Lëvizjn ‘Vetëvendosje’ kanë deklaruar në mbrëmje për ‘RADIO 1’, se ky subjekt nuk do të pranojë ofertën e sotme, të cilësuar si të ‘fundit’ nga ana e LDK-së, e shprehur me shkrim nëpërmjet kryetarit të saj Isa Mustafa.

Lajmin për refuzim të ofertës në fjalë, e të argumentuar me fakte sipas Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ pritet që ta kumtoi zyrtarisht subjekti i liderit Kurti, kandidat për kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Një ofertë e tillë, së pari e demanton vet qëndrimin e tyre ndaj çështjes, së dyti është diçka që nuk është në favor të proceseve që e presin vendin. Si e tillë ajo bie poshtë dhe kumtimin e refuzimit do ta bëjë më së largu në mëngjes zyrtarisht subjekti.”-deklaruan për ‘RADIO 1’ të njejtat burime, të afërta me takimet që janë zhvilluar në kontinuitet në mes të VV-së dhe LDK-së.

I njejti burim ju referua deklaratës të së dielës, të kryetarit Albin Kurti se: “Ajo që ne nuk do të bëjmë, është të kthehemi në kohë dhe të pretendojmë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Gjërat kanë ndodhur, takimet dhe përpjekjet tona kanë ndodhur, ofertat tona kanë ndodhur, afatet kushtetuese kanë ndodhur, seanca konstituive e Kuvendit ka ndodhur. Pra, nuk mund të shtiremi se këto ngjarje e këto afate nuk kanë ndodhur e nuk i ka parë i gjithë populli.”

Ndryshe, oferta e sotme e LDK-së që pritet të refuzohet nga ana e Albin Kurtit është kjo:

Postimi i plotë:

1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:

a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

3. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

4. Si rezultat i kësaj marrëveshje:

Deri në zgjedhjen e Presidentit:

VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq

LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:

VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq

LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.

Komento: