Viti 2019, viti i vendimit historik

20:27 | 30 Dhjetor 2018

Kthesat e mëdha historike, të cilat e kanë vendosur fatin e shteteve dhe popujve anekënd botës, shpesh kanë qenë rezultat qoftë edhe i një vendimi të vetëm.

Kështu ka ndodhur edhe me ne. Historia e popullit tonë është e përcaktuar nga momente të ndritshme, kur ne kemi marrë vendime të drejta, por edhe të mençura në momente të duhura, të cilat janë përkrahur nga shtetet e fuqishme.

Nuk do të ishim të sinqertë me vetveten nëse mendojmë se nuk ka pasur raste kur kemi humbur mundësi historike, për shkak të mungesës së vendimmarrjes ose vendimeve të gabuara.

Një moment i tillë përcaktues apo vendimtar yni, i cili duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt, ndërlidhet me marrëveshjen përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Mendoj se nuk ka moment më të mirë se tani për të arritur paqen e qëndrueshme dhe përfundimtare. Rrethanat politike në Kosovë dhe Serbi mundësojnë një marrëveshje të tillë.

Ndërkaq, në favor të shfrytëzimit të plotë të kësaj mundësie historike janë SHBA-ja dhe BE-ja. Nuk kemi kohë për të humbur tani, por me zgjuarsi dhe të bashkuar duhet të vendosim për të mbyllur konfliktin shekullor me Serbinë dhe për ta hapur atë të paqes. Historia, koha dhe gjeneratat e ardhshme do të na gjykojnë për veprimin e duhur apo humbjen e mundësisë. Unë dua që të mbahemi në mend për të parën.

Një letër, një kuptim

Letra e Presidentit të SHBA-së, DonaldTrump, pritshëm bëri bujë të madhe në Kosovë. Nuk ka si të ishte më e drejtpërdrejtë dhe të mos linte aspak hapësirë për keqinterpretim. Amerikanët nuk është se janë të njohur për qasje dykuptimshme, aq më pak presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është i drejtpërdrejtë dhe mesazhi i tij drejtuar Kosovës nuk ka si të jetë më i qartë.

Por, asnjëherë nuk bën t’i nënvlerësojmë tendencat tona për t’i interpretuar gjërat ashtu siç i përshtaten agjendës sonë personale, grupore ose partiake. Jetojmë në një botë, ku secili është i lirë t’i kuptojë e keqkuptojë gjërat ashtu siç ia do qejfi, dhe pa asnjë përgjegjësi t’i paketojë ato për publikun e gjerë. Por, e vërteta është një.

Letra e presidentit Trump ka vetëm një kuptim krejt të qartë. Dhe është tejet e rëndësishme që opinioni ynë publik të mos i devijojë porositë që na dërgoi shteti më i fuqishëm në botë, aleati kryesor i vendit tonë.

Përmbajtja e letrës së Presidentit të SHBA-së, DonaldTrump, kishte dy qëllime thelbësore. Së pari, ishte një thirrje dhe inkurajim për të gjithë liderët e Kosovës, për të shfrytëzuar momentumin e krijuar dhe për të bërë marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes me Serbinë. Gjithashtu, i vetëdijshëm për polarizimet ekzistuese, të cilat janë të rrezikshme, presidenti Trump na bëri thirrje edhe që të jemi të bashkuar dhe të flasim njëzëri për marrëveshjen.

Ndërsa, mesazhi i dytë thelbësor, ndërlidhet me kuptimin e seriozitetit të situatës dhe të shfrytëzimit të mundësisë unike për të arritur marrëveshjen. Presidenti Trump e bëri të qartë se dështimi ynë eventual për të arritur marrëveshjen mund të ketë pasoja tragjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë. Prandaj, edhe na tërheq vërejtjen që ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përmbahemi nga vendimet, të cilat mund ta vështirësojnë edhe më shumë arritjen e një marrëveshjeje paqësore.

Vendimi është yni

Ne jemi të bekuar që kemi aleatë të fuqishëm në botë. Mbi të gjitha, që kemi mbështetjen e SHBA-së. Këtë vit shënuam dhjetëvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Të gjithë kanë pritur nga ne, si liderë dhe nga institucionet tona shtetërore, që të sillemi më ndryshe. Të dëshmojmë se kemi pjekuri dhe maturi të mjaftueshme politike për ta mbajtur Kosovën në drejtimin e duhur, atë drejt integrimeve euroatlantike. Kanë pritur që mos të jemi kaq të përçarë me njëri-tjetrin në çështje të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërlidhen me interesin tonë shtetëror.

Por, ne i kemi zhgënjyer shpeshherë miqtë tanë ndërkombëtarë. Prandaj, ata edhe dhjetë vjet pas krijimit të shtetit tonë, detyrohen të na japin këshillat e tyre më të mira. Do të ishte mirë për vetë ne që të gjenim urtësinë dhe guximin, që një herë të marrim një vendim të guximshëm, të mençur dhe në kohën e duhur. Për më tepër, ne edhe kësaj radhe kemi përkrahje për këtë vendim nga aleatët tanë, të cilët e kemi për obligim t’i respektojmë. Prandaj, nuk ka vend për frikë dhe hamendje. Të kujtojmë episodin e fundit të dështimit tonë.

Përkundër këshillave dhe insistimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2016, si kusht i vetëm për liberalizimin e vizave, ne dështuam ta bëjmë një gjë të tillë. Për më keq, Kosova papritmas u shndërrua në arenë të protestave të dhunshme. Kështu, me lehtësinë më të madhe dhe falë kauzave të rrejshme politike, humbëm momentin dhe ia pamundësuam BE-së që ta marrë vendimin për heqjen e vizave. Në fund, u deshën dy vite debate monotone dhe shterpe për këtë çështje, që e njëjta marrëveshje të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Çfarë fitoj Kosova nga e gjithë kjo? Asgjë, përveç vazhdimit të izolimit.

Prandaj, unë shpresoj se liderët e vendit në vitin 2019 do të jenë të gatshëm, që pa hezitim të marrin vendime të vështira, por të domosdoshme, për interesin shtetëror dhe paqen në Ballkan e më gjerë. Nga ana ime, dua t’i siguroj qytetarët se nuk do të ngurroj për asnjë moment që të marrë vendime në interes të shtetit tonë dhe në përputhje me këshillat miqësore të aleatëve tanë, respektivisht të SHBA-së.

Komento: