Vizita e Donfried në Serbi, çka u diskutua në takim me Vuçiqin

08:15 | 27 Prill 2022

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, gjatë vizitës së djeshme në Beograd ka takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

Në deklaratën pas takimit Vuçiq-Donfrid vetëm në një gjysmë fjalie përmendet se është diskutuar për qëndrimin e Serbisë ndaj situatës në Ukrainë.

Donfried tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm procesin e integrimit evropian të rajonit, thuhet në deklaratë.

Sipas njoftimit, Vuçiq ka theksuar se nisma “Ballkani i Hapur” është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, duke shtuar se kjo iniciativë është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nisma “Ballkani i Hapur” është iniciuar në tetor të vitit 2019 nga udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe thuhet se ka për qëllim që të lehtësojë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe kapitalit në mes të këtyre tri shteteve.

Gjatë takimit, Vuçiq tha po ashtu se Serbia ka rritur eksportet në Shtetet e Bashkuara për 100 për qind krahasuar me vitin 2010, duke shtuar se ai mirëpret prezencën e kompanive amerikane në shtetin e tij.

Ndërkaq, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Vuçiq tha se Serbia ka përmbushur zotimet e saj, por autoritetet e Kosovës nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Edhe nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit, nuk është iniciuar themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Ky proces ndërmjetësohet nga BE-ja.

Ndërkaq, Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha se SHBA-ja është e përkushtuar që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në BE dhe përsëriti se ky është një prej prioriteteve të politikës së jashtme amerikane për këtë rajon.

Ajo po ashtu mirëpriti nismën “Ballkani i Hapur” dhe qëllimin e Serbisë që të përqendrohet në çështjet ekonomike të bashkëpunimit rajonal.

Komento: