Vizita e përbashkët Palmer – Lajçak në Kosovë, BE dhe ShBA dërgojnë sinjale për dialog

23:20 | 28 Maj 2021

Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën më 31 maj dhe 1 qershor 2021, ku do t’i bashkohet edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Matthew A. Palmer.

Sipas një njoftimi për media gjatë vizitës së tij dy-ditore të punës, Lajçak do të takohet me Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti, Zëvendës Kryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Bislimi, Zëvendës Kryeministren e Dytë dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Gërvalla-Schwarz.

“Për vizitën, Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak do t’i bashkohet Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew A. Palmer. Ata së bashku do t’i drejtohen mediave të martën, 1 Qershor, në 10:45 në zyrën e BE-së”, thuhet në njoftim.

Këtë vizitë të përbashkët të Lajçak dhe Palmer, njohësja e integrimeve evropiane Donika Emini po e sheh si një rikthim uniteti mes SHBA-së dhe BE-së.

“Kjo vizitë e përbashkët e tyre jep mesazhin se SHBA dhe BE janë në një linjë të përbashkët sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Mund të ketë vende anë tare të BE-së që mund të kenë qasje të ndryshme, mirëpo ky proces udhëhiqet nga Lajçaku i cili më shumë gjasë edhe do ta ketë fuqinë e dhënë nga Palmeri që për Kosovën do të thotë shumë”, deklaroi Donika Emini për RTV Dukagjinin.

Një takim mes Lajçak dhe Palmer ka ndodhur me datë 26 të këtij muaji.

Komento: