Vizitë Çlirimtarëve!

Shkruar nga: Bashmir Xhemaj

14:55 | 12 June 2022

Pasditja e të mërkurës, 8 qershor, na gjenë në kontrollin e pasaportave në Aeroportin e Vjenës. Në linjën nga Prishtina takon lloj-lloj delegacionesh, zyrtarë e gjysmë zyrtarë që ia kanë mësyrë Evropës. Një grup i deputetëve që po udhëtonte drejt Danimarkës në Forumin për Demokraci, një tjetër edhe më i lartë i Kuvendit drejt Austrisë, e kështu me radhë në grupe më të vogla. Ne po nxitonim për të kapur fluturimin e radhës drejt Hagës, për të cilin kishim vetëm 30 minuta kohë. Ngutia jonë në hapësirat e stërmbushura të aeroportit është e kuptueshme. Po e humbëm fluturimin, kemi humbur vizitën e nesërme, për të cilën kishim pritur gjatë dhe të vetëdijshëm që një e tillë nuk të vjen shpesh.

Sapo shkelim Schipholin, në Holandë, ndër aeroportet më të mëdha në Evropë, ngjyrat, lulet e larushia e njerëzve që nxitojnë në drejtimet e tyre, megjithëse i vërejmë, nuk na lënë përshtypje. Vëmendjen na tërheqin ca zëra në shqip, familjarë të udhëheqësve të luftës në Hagë që po endeshin të vetmuar me fatin e tyre, i cili, si për inat, ka vendosur që t’ua sfidoj edhe një herë qëndresën, vullnetin e kurajon. Edhe ata kishin ardhë për vizitë. Përshëndetemi e ndahemi ngrohtësisht me ta.

Përfytyrimi për atë që na pret brenda qelisë në Qendrën e Paraburgimit vjen e rëndohet me kalimin e orëve. Si janë? Çfarë bëjnë brenda atyre mureve? A i përcjellin zhvillimet në Kosovë? Mbi të gjitha, si ndihen njerëzit që e kanë shkruar historinë më të re të Kosovës në atë situatë? Këto pyetje nuk më ndahen nga mendja.

Së bashku me shokët, vendosëm që rrugën nga hoteli ynë deri te Qendra e Paraburgimit, ta bëjmë në këmbë. Kalojmë me shpejtësi rrugët njëra pas tjetrës, për të vazhduar përbri parqeve të shumta, me shumë gjelbërim. Shëmtia e vetme e atij qyteti të bukur janë ndërtesat e mbrojtura me rrethoja hekurash të lartë e tela xhembash, të ngritur prej vitesh aty. Në njërën prej tyre është e vendosur pllaka me mbishkrimin në anglisht, “Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

Për banorët lokal, ato janë vetëm ndërtesa të zakonshme – për ne, ato janë e kundërta. Aty mbahet e ngujuar vetë historia jonë më e lavdishme. Udhëheqësit e luftës më të suksesshme në historinë e Kosovës, frymojnë aty, brenda katër muresh.

Në Scheveningen arrijmë 15 minuta më herët, por, brenda hyjmë me 15 minuta vonesë. Rojat e sigurisë që sillen mirë me ne nuk është se nxitohen shumë. Kush e di prej sa vitesh punojnë aty me rutinën ditore të tyre, pa e kuptuar se ne minuti na dukej një shekull. Mezi prisnim të takonim çlirimtarët.

Sapo kalojmë kontrollin e fundit të sigurisë, dëgjohet gjallëria që vjen brenda korridorit. Me t’u hapur dyert e rënda të hekurit, ndjejmë lehtësinë e gëzimin e takimit që e sjell secili më mirë se tjetri. Krejt të veçantë në mënyrën e tyre, pa humbur sensin e humorit e as moralin, një nga një vijnë Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi. S’ka protokoll. Shokët duken në humor të mirë, të mbajtur e palestruar, e, siç nuk e imagjinon, me shumë batuta. Reagimi i tyre plotë energji e sjellje me pozitivitet, na largon fytyrat e ngrysura dhe të folmen tonë me gjysëm zë.

Me Kadriun, biseda fillon aty ku e kishim lënë mëngjesin e 5 nëntorit 2020, derisa po i thurnim fjalitë e fundit të letrës së tij përshëndetëse për popullin e Kosovës. Në ata minutë të gjatë e të rëndë, ishte ai që u jepte forcë kolegëve përtej fatit që e priste pas pak orësh. Nuk kishte ndryshuar as për një milimetër edhe pas gati dy vitesh në Hagë. Ishte i njëjti, me kurajo të madhe dhe më i vendosur se kurrë për të ecur përpara. Kujtesa, çiltërsia , njerzillëku e vetëbesimi që shpërfaqte, më bëri të mendoj se kam përballë një djalë të ri që flet për fillimin e studimeve në universitetin e ëndrrave, dhe jo në një gjykatë ku i duhet me orë të tëra të kalojë me dokumente voluminoze, të mërzitshme e të sajuara të aktakuzës.

Nuk është i mërzitur, përkundrazi, më kujton romanin e Remarkut, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, veçmas paragrafin, “Çdo ushtar mbetet gjallë vetëm në saje të njëmijë rastësive. Dhe, çdo ushtar ka shumë besim te rastësia”. Ky është fati i një luftëtari, qoftë i mirë apo i keq. Nëse nuk i paraprinë, duhet ta ndjekësh – pa e humbur asnjëherë besimin për të drejtën dhe drejtësinë. Nuk ngopemi me çaj e bisedë. Kosova është kryetema. Minutat kalojnë me shpejtësi.

Për një moment hapet dera e dhomës.

Presidenti Hashim Thaçi, me humorin që ia njohim prej konferencave për media e fushatave në terren, na shfaqet i njëjti. “Edhe …”- është shprehja që e rikthen gjallërinë e dhomës teksa përplasë duart. Nuk i shpëton asgjë shikimit të tij të mprehtë e kthjelltësisë së mendjes. I mbajtur në formë të mirë, edhe ai, si Kadriu, pyet e interesohet për miqtë e përbashkët. Megjithëse pa asnjë funksion, aty ndjehet pesha e njerëzve që kanë bartur mbi supe epoka të lavdisë e historisë tonë.

Pajtohemi të gjithë se liria ka çmim e as nuk vjen vetë. Aq më pak – ajo nuk falet, por fitohet, me luftë, gjak e sakrificë. Liria meritohet.

Beteja që kanë përpara është sprova e radhës së udhëheqësve të luftës. Këtë herë jo me Serbinë, si dikur të ri e me ideale të mëdha, por me efeket e propagandës së saj shumëvjeçare.

Biseda na çon te jeta e përditshme e tyre në Hagë, veçmas te leximet. Pashmangshëm edhe te libri “Një shqiptar në CIA”. Në Kosovë nuk kisha pasur mundësinë që t’u ndaja nga një kopje. Ngjarjet e mes-vitit 2020, ishin më të rrëmbyeshme se përmbajtja e librit. Rexha ua kishte sjellë në vëmendje librin muaj më parë në Hagë, por pa iu kujtuar emri i autorit. Për rastësi, sapo bëhemi bashkë sërish në fund të vizitës, Rexha më përgëzon për librin. E kishte lexuar gjatë pushimeve verore, sapo ishte promovuar në prill të vitit 2019. Më erdhi mirë.

Fatmirësisht i kisha marrë kopjet nga Prishtina. Ua konfirmoj me kënaqësi lajmin. Ndjehem i lehtësuar.

Dorëzimi i dhuratave ka një procedurë të veçantë, sa për të na rikujtuar tmerrësisht ku gjendemi. Në një godinë paraburgimi mijëra kilometra larg Kosovës por që mban emrin e DhSK. Edhe librat-dhuratë duhet të kalojnë nëpër një mijë procedura sigurie.

Çlirimtarët na urojnë për Ditën e Çlirimit.

Të fala Kosovës – njëzëri- duke na rrahur krahët.

Derisa po e lexoni këtë shkrim, librat mund të kenë arritur në dhomat e udhëheqësve të luftës. U sigurova që në secilën prej tyre lë një porosi:

“Në shenjë mirënjohje për rolin udhëheqës në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës. Me respekt, Autori. 12 qershor 2022, Hagë”.

Komento: