
Gjendja me COVID-19 mund të përkeqësohet.
Ardhja e mërgimtarëve në Kosovë për festat e fundvitit ndikoi goxha mirë në ekonominë e Kosovës. Por duket se bashkatdhetarët nuk sollën vetëm të mira.
Fluturimet e tyre nga shtete të ndryshme për në Kosovë po del se do të ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve pozitive me COVID-19.
“Aktualisht Kosova ka situatën më të favorshme epidemiologjike në rajon. Mirëpo kjo nuk duhet të krijojë assesi vetëkënaqësi te qytetarët sepse për shkak të grumbullimit të njerëzve në festat e fundvitit, numrit të madh të mërgimtarëve, kontakteve të shumta familjare, është e pritshme të ketë rritje të numrit të rasteve të infektimit me COVID-19.” , tha mikrobiologu Lul Raka.
Ajo që sipas tij pritet të sjellë numër të ri të rasteve është edhe fushata parazgjedhore ku politikanët nuk po i përmbahen rregullave anti-COVID, raporton Klan Kosova.
Në lëvizjen e lakores gjatë javëve në vazhdim sipas specialistëve të tjerë të kësaj lëmie mund të ndikojë edhe moti i ftohtë ngase njerëzit rrinë më shumë afër njëri tjetrit, frekuentojnë më shumë restaurantet dhe nuk qëndrojnë në ambiente të jashtme.