Vjen reagimi i Rashicës, pas shkarkimit të Farke

11:52 | 07 Nëntor 2021

Rashica reagon pas shkarkimit të trajnerit Farke.

Shkarkimi i trajnerit Daniel Farke nga Norwich City e ka lënduar sulmuesin e Kosovës dhe klubit anglez, Milot Rashicën.

Norwich City dje (e shtunë) mori fitoren e parë këtë sezon në Ligën Premier, pasi mposhti Brentfordin me rezultat 2-1.

Megjithatë, kjo fitore nuk kreu punën për trajnerin Farke, i cili pas ndeshjes u shkarkua nga drejtuesit.

Klubi anglez njoftoi shkarkimin e trajnerit pas 208 ndeshjeve dhe katër vite e gjysmë në krye të skuadrës.

Ky shkarkim i Farkes ka lënduar sulmuesin e Kosovës, Rashicën, i cili nuk ka mundur të mos reagojë në rrjetet sociale.

“Faleminderit për gjithçka shef”, ka shkruar Rashica në postimin e bërë në Instagram.

Ndryshe, Farke njihet si personi kryesor që ndikoi në transferimin e Rashicës te klubi anglez në afatit kalimtar të verës së fundit.

Komento: