Vjosa Çitaku shkruan letër prekëse për Vjosa Berishën – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Vjosa Çitaku shkruan letër prekëse për Vjosa Berishën

20:00 | 30 Qershor 2022

Sot i është dhënë lamtumira e fundit regjisore, Vjosa Berishës.

Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka shkruar një letër prekëse për producenten Vjosa Berisha, e cila vdiq javën e kaluar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në këtë letër që ia ka drejtuar djalit, burrit, vëllait, nënës dhe babait të producentes, ajo ka treguar për lidhjen që ka pasur me Vjosën që nga rinia.

“Kur isha e re, Vjosën e admiroja. Kur jam rritë pak, edhe jam tutë pak nga Vjosa, si nga një motër e madhe. E më vonë, e kam dashtë shumë Vjosën, si një motër e vogël. Vjosa për mua ka ekzistu në të gjitha këto forma. Gjithmonë e kam admiruar, jam frikësuar se mos e zhgënjej, dhe e kam dashtë fort. Ne çdo gjë që ka bërë, Vjosa e ka synuar të perkryerën. Çdo gjë që Vjosa ka bërë, ka qenë e jashtëzakonshme, e parëndomtë, e veçantë”, ka shkruar Çitaku.

Tutje, Çitaku ka thënë se s’do të flasë asnjëherë për të në të shkuarën.

“Vjosë, nuk kam me folë kurrë për ty në kohën e shkuar, e as si për dikë që nuk është ma. Ne kemi me u plakë, e ti ke me qene gjithmonë me ne, e re, e bukur, e buzëqeshur, dhe pa rudha në ballë”, ka shkruar Çitaku.

Postimi i saj i plotë:

Të dashtun Lekë, Fatos, Blerina, Shkumbin, Nanë dhe Baba,

Kur isha e re, Vjosën e admiroja.

Kur jam rritë pak, edhe jam tutë pak nga Vjosa, si nga një motër e madhe.

E më vonë, e kam dashtë shumë Vjosën, si një motër e vogël. Vjosa për mua ka ekzistu në të gjitha këto forma.

Gjithmonë e kam admiruar, jam frikësuar se mos e zhgënjej, dhe e kam dashtë fort.

Ne çdo gjë që ka bërë, Vjosa e ka synuar të perkryerën. Çdo gjë që Vjosa ka bërë, ka qenë e jashtëzakonshme, e parëndomtë, e veçantë.

Vjosa i ka refuzu, i ka përbuz, i ka shkel me guxim kufinjtë që i ka imponu shoqërija.

Vjosa i ka rrënu muret dhe barierat që të tjetët i kanë ngrit për të shtypur gruan.

Për Vjosën, as qielli nuk ka qenë limit. E sot, në qiell po shkon.

Vjosa, para së gjithash, ka qenë njerëzore. Suksesin nuk ka dashtë me e mbajt për vete, e ka dashtë edhe per të tjerët. Ajo ka ndërtuar platforma, ka ndërtuar skena, ka ndërtuar edhe festivalin, ku të tjerët kanë mundur të shkëlqejnë.

E për mua, kujtimi per Vjosën gjithmonë do të mbetet i lidhur me kujtimin për ditën e pavarësisë së Kosovës. Gjithçka që ne kemi shikuar dhe shijuar atë ditë, e ka pasur dorën e Vjosës.

Në çdo përvjetor të pavarësisë do ta kujtoj Vjosën, do ta admiroj për trashëgiminë që ka lënë prapa, dhe do të përpiqem me i’a zbardh fytyrën.

Në çdo 17 Shkurt, Vjosa do të jetë bashkë me ne.

Në çdo ecje në tapet të kuq, Vjosa do të jetë bashkë me ne.

Në çdo festival, Vjosa do të jetë bashkë me ne.

Në çdo lojë futbolli, Vjosa do të jetë bashkë me ne.

Çdo fitore e çdo sukses do t’a shënoj duke t’i dëgju tê rrahurat e zemrës, e duke t’a ndje shikimin plot dashuri. Në çdo ramje e në çdo humbje prej teje kam me e marr forcën.

Edhe sot, po më duket po të shoh duke më thanë “mos u be patetike Vlorë, mbaje veten”.

Se ti më ke mësu mua, që edhe fitoret edhe humbjet duhet me i pranu me dinjitet.

Tri here e kam ndërru fustanin sot Vjosë, se ta ndjeja praninë në dhomë, e më dukej se të shihja duke m’a e ba me kokë, “jo”. Buzët e kuqe sot i bana për ty, e në gym nuk po të premtoj që kam me shku, se nuk guxoj me të rrejtë.

Vjosë, nuk kam me folë kurrë për ty në kohën e shkuar, e as si për dikë që nuk është ma.

Ne kemi me u plakë, e ti ke me qene gjithmonë me ne, e re, e bukur, e buzëqeshur, dhe pa rudha në ballë.

Pusho pak, Vjosë.

Komento: