Vjosa Osmani dhe Valdete Daka flasin për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

12:48 | 25 Nëntor 2020

Osmani dhe Daka flasin për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bashkëbisedim me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Temë e bisedës së tyre telefonike kanë qenë zgjedhjet për kryetar të komunës në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut, transmeton Klan Kosova.

“U.d. Presidentja ofroi përkrahjen e saj të plotë, në mënyrë që zgjedhjet në këto dy komuna të organizohen duke mbrojtur shëndetin e qytetarëve si dhe të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, thuhet në kumtesë.

“Ndërkaq Daka e njoftoi Osmanin se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, si për zbatimin e manualit për mbrojtje nga pandemia, ashtu edhe për zgjedhje të drejta në përputhje të plotë me praktikat demokratike. Ajo e siguroi u.d. Presidenten se deri tani nuk kanë hasur në asnjë problem dhe se janë në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse që të jenë të pajisur me të gjitha materialet e nevojshme”.

Osmani me këtë rast ka bërë thirrje për të gjithë që t’i respektojnë masat për mbrojtje nga COVID-19 në ditën e zgjedhjeve.

Komento: