Vllasi për peticionin në Veri: Zgjedhje të reja mund të ketë vetëm nëse Serbia i mbulon shpenzimet

10:26 | 20 Janar 2024
vllasi-per-peticionin-ne-veri:-zgjedhje-te-reja-mund-te-kete-vetem-nese-serbia-i-mbulon-shpenzimet


Në katër komunat veriore të Kosovës ka nisur tanimë edhe mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Për këtë, njohësi i politikës, Azem Vllasi ka thënë që zgjedhje të reja mund të ketë vetëm nëse Serbia i mbulon shpenzimet.

“Nuk kishte asnjë arsenal për dorëheqje të kryetarëve që ishin. Nuk kishte asnjë arsenal të bojkotohen zgjedhjet kur Serbët mund të kishin kryetarët e ri. Tash le të presin. Nëse plotësohen kushtet përmes peticionit, zgjedhje të reja mund të ketë vetëm nëse Serbia i mbulon shpenzimet ngase krejt këto marinate në komunat veriore po dirigjohen nga Serbia”, u shpreh ai për Front Online.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës po mbahet në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Serbët kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit të kaluar, në të cilat u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë. Nisja e mandatit të tyre në fund të majit, rriti tensionet në veriun e Kosovës.

Nëse KQZ-ja konfirmon se peticioni ka qenë i suksesshëm, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarëve.

Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote./FrontOnline

Komento: