Von Cramon: S’kam ndërhyrë tek Specialja

21:38 | 20 Korrik 2020

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian thotë se nuk ka ndërhyrë te Specialja.

Viola Von Cramon shkoi në Hagë dhe takoi disa udhëheqës të Gjykatës Speciale. Por ky veprim i raportueses për Kosovë në Parlamentin e Evropës, zgjoi kritika të ashpra në Kosovë, për ndërhyrje në drejtësi. Cramon një gjë të tillë e mohoi kategorikisht.

“Unë kurrë s’kam ndërhyrë dhe kurrë nuk do ta bëja një gjë të tillë. Askush nga ne në Parlamentin e Europës nuk do të involvohej në ndonjë vendim të gjyqësorit. Kur bisedoni me prokurorin special Jack Smith, pastaj me ata të regjistrit si dhe me kryetarin e gjykatës ju do ta shihni se ata janë krejt të pavarur. Ata nuk do të lejojnë të bëni madje asnjë pyetje specifike për cilindo rast që e kanë në shqyrtim”, tha ajo për Klan Kosovën.

Raportuesja në parlamentin europian mohon se kishte ftesë për vizitë por vetëm kërkesë që e kishte bërë qysh në fillim të vitit e që e realizoi të premten e 17 korrikut.

“Specialja është strukturë e rëndësishme për sundim të ligjit e Kosovës. Është obligimi im që të njoftohem me punën e këtij institucioni në Hagë. Kjo ishte arsyeja kyçe e vizitës sime. Natyrisht isha e interesuar të dija se si është strukturimi dhe pse kanë marrë aq shumë kohë”, shpjegoi ajo.

Ajo tha se krijoi bindje se deri në verën e vonshme do të jepet lajmi për konfirmimin ose jo të aktakuzës ndaj Thaçit dhe disa të tjerëve që u ngrit më 24 prill e u bë publike më 24 qershor.

Komento: