Vuçiç pas takimit me Lajçak: Zbatim të të gjitha marrëveshjeve dhe respektim të ligjit ndërkombëtar

16:23 | 17 Tetor 2022

“Bisedë serioze dhe të përgjegjshme për të gjitha çështjet e hapura në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Brukselit”, shkroi në rrjetin e tij në Instragram, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç pas takimit me ndërmjetësin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Do të vazhdojmë të ruajmë vendin dhe popullin tonë, duke insistuar në implementimin e plotë të marrëveshjeve të arritura gjer më tani si dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”, shkruan në njoftimin e Aleksandar Vuçiç.

Të enjten Miroslav Lajçak pati takim në Prishtinë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku u lajmërua se temë diskutimi ishte ecuria e mëtejme e procesit të dialogut.
Kryeministri Kurti u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke, shkruan Reporteri.net.

Në takim u tha se u diskutua për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës.

Lajçak ka thënë se “dritarja” e mundësisë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme mes dy vendeve është gjer në maj të vitit 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se madje “nuk jam i sigurt as që i kemi dy vite kohë” dhe se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet sa më parë.

Këtë të hëne, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, mu pak para takimit me Lajçak tha se Perëndimi me doemos dëshiron të arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi, përçka sipas tij po synohet sa më parë anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Komento: