
Vuçiq deklarohet pas takimit me Escobar e Lajçak: Zgjidhje për targat dhe çështjet madhore duket se nuk mund të ketë fare.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në orët e mesnatës ka treguar se si ka shkuar takimi me emisarët Lajçak dhe Esobar.
Vuçiq ka thënë se do të vazhdojnë bisedimet, nga të cilat shpreson se në ditët në vijim do të arrihet një zgjidhje kompromisi, siç ka thënë ai “të paktën për një pjesë më të vogël”, ngase Vuçiqi thotë se kur bëhet për targat dhe çështje më të mëdha “një zgjidhje e tillë nuk mund të ndodhë fare”, transmeton Reporteri.
“Është 15 minuta pas mesnate dhe ne sapo kemi përcjellë mysafirët tanë, zotërinjtë Escobar dhe Lajçak. Do t’i vazhdojmë bisedimet dhe besoj se në ditët në vijim do të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë e vogël, meqenëse është e qartë se rreth targave dhe çështjeve madhore, një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare”.
“Natyrisht, edhe kjo që unë shpresoj nuk është e sigurt dhe duhen shumë garanci dhe shumë më tepër punë, por në ditët në vijim do të punojmë fort për të siguruar dhe ruajtur paqen për popullin tonë. Dhe njëkohësisht të sigurojmë të ardhmen për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, deklaron Vuçiq në videon e postuar.
Paraprakisht, Vuçiq kishte deklaruar se se ka pasur bisedime “jo të lehta” me zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së të ngarkuar për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.
Për takimin me Vuçiq, edhe i i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se ka qenë “i vështirë dhe i gjatë”.
“Ne vlerësojmë angazhimin e presidentit për paqen dhe stabilitetin. Do të vazhdojmë bisedimet”, tha Escobar.
Esobar dhe Lajçak në dy ditët e fundit qëndruan në Prishtinë ku kishin takime me krerët e shtetit dhe liderët opozitarë.
Në ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë, dy emisarët qëndruan në veri të Mitrovicës, ku u takuan me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.
Lajçak tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.