Vuçiq thotë se është gati për kompromis me Kurtin: Nëse ia dalim, do të jetë sukses historik

09:21 | 16 Mars 2023

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia është “gati” për të bërë përpjekje për gjetjen e një kompromisi.

“Ne jemi gati ta bëjmë. Sigurisht që të dyja palët kanë vijat e tyre të kuqe dhe këtë nuk mund ta mohoj, por ne, besoj se të dyja palët, duhet të bëjmë shumë për të normalizuar situatën mes kombeve tona, popujve tanë, dhe duke pasur parasysh këtë, besoj se është në interes të të dyja palëve që të sigurohet qarkullimi i lirë i mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Duhet të punojmë me shumë zell për këtë, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për Euronews.

I pyetur nëse Serbia është e gatshme t’i bëjë disa lëshime palës kosovare kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës apo të paktën të fillojë atë procedurë, Vuçiq tha se ata “tashmë e kanë filluar atë procedurë në Këshillin e Evropës, pa pyetur Serbinë dhe se nuk u duhet Serbia për këtë”.

Megjithatë, Vuçiq thotë se ka rregullore dhe një plan të propozuar nga gjermanët dhe francezët në lidhje me organizatat ndërkombëtare:

“Ata morën përgjigjen time për këtë, unë i thashë (Emanuel) Macronit dhe (Olaf) Scholz drejtpërdrejt se çfarë mendoj për pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe disa gjëra të tjera. Por ne jemi të gatshëm të flasim për çështje të tjera, ne jemi gjithmonë të gatshëm. Ne gjithashtu duhet të diskutojmë disa ligje që duhet të miratohen dhe këtë do ta diskutoj në Ohër me bashkëbiseduesit e mi dhe disa njerëz të tjerë. Por ne jemi të gatshëm të diskutojmë shumë çështje dhe ata i dinë vijat e mia të kuqe”, tha Vuçiq duke përsëritur se nuk dëshiron të flasë për këtë publikisht sepse dëshiron të lërë shumë hapësirë për zgjidhje të mundshme kompromisi.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kjo do të thotë se ka hapje, gjegjësisht se nuk është mbyllur dera për mundësinë që Serbia të thotë “po” për anëtarësimin e Kosovës, ai tha: “Në disa organizata po, nuk po flas për Këshillin të Evropës, tashmë e kanë nisur këtë pa ne”.

Vuçiq tutje ka thënë se çdo gjë që është nënshkruar duhet të zbatohet, duke iu referuar këtu Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb shton se nëse nëse dyja vendet ia dalin të dakordohen për të gjitha çështjet, atëherë ky do të jetë sukses historik.

“Këto janë katër marrëveshje. Ne tashmë kemi nënshkruar gjithçka dhe natyrisht është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe duhet të zbatohet. Dhe ky nuk është qëllimi përfundimtar. Qëllimi përfundimtar është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku, të jetojmë shumë më mirë dhe të respektojmë njëri-tjetrin pa hasmëri. Nuk kam në plan të flas për fajin e askujt, nuk ka rëndësi nëse do të ndodhë për tre muaj apo tre vjet, por nëse ia dalim do të jetë historik sukses”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq më 18 mars pritet të takohen në Ohër për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimet e ndara do të zhvillohen duke filluar në ora 10:00, ndërsa ai trepalësh pas mesditës.

“Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”, thuhet në njoftim.

Komento: