Werner – Chelsea, drejtori i Leipzigut sqaron gjithçka

17:28 | 06 Qershor 2020

Drejtori i Leipzigut përgënjeshtron lajmet për transferimin e Wernerit në Chelsea.

Drejtori menaxheria i RB Leipzigut, Oliver Mintzlaff, i ka përgënjeshtruar lajmet se është arritur marrëveshje me Chelsean për transferimin e sulmuesit Timo Werner gjatë afatit kalimtar të verës.

Gjatë javës u raportua se Chelsea e kishte aktivizuar klauzolën për shkëputjen e kontratës së Timo Wernerit me Leipzigun për 60 milionë euro, përderisa për të ishin interesuar edhe Liverpooli e edhe Manchester Unitedi.

Megjithatë, Mintzlaff thotë se ai ende nuk është kontaktuar zyrtarisht dhe tha se klubi i tij për momenti është i përqendruar në përfundimin e këtij sezoni.

“Ne nuk kemi kontaktuar ende. Megjithatë, ne nuk kemi asgjë për të raportuar. Timo Werner është lojtar i RB Leipzigut. Ai na sinjalizoi para disa javëve që ishte i zënë me një transferim. Asgjë nuk është kompletuar deri më tani”, ka thënë Mintzlaff.

“Ne jemi duke u përqendruar në përfundimin e sezonit në ligë. Ne duam të kualifikohemi për Ligën e Kampionëve. Kjo është e vetmja gjë për të cilën po diskutojmë me Timon për momentin”.

Komento: