Ylli i Juventusit po transferohet në Milan

12:23 | 04 Gusht 2021

Ramsey mund të përfundojë te Milani.

Milani po kërkon një mesfushor sulmues për të zëvendësuar Hakan Calhanoglu këtë verë dhe mesfushori i Juventusit, Aaron Ramsey, po përmendet si një alternativë e mundshme.

Reprezentuesi i Uellsit ka luftuar për të bindur në Juventus dhe iu dha një rol i ri në miqësoren e parë të Massimiliano Allegri kundër Monza, kur ai luajti si një mesfushor më i thellë, si tip organizatori.

Sipas La Gazzetta dello Sport, Milani është i interesuar të nënshkruajë me ish-yllin e Arsenalit për të zëvendësuar reprezentuesin e Turqisë, Calhanoglu, i cili kaloi si transferim falas te rivalët vendas të Interit, kur skadoi kontrata e tij.

Juventusi po kërkon të heqë qafe disa rroga të larta, veçanërisht nëse duan të sjellin Miralem Pjanic përsëri në Torino nga Barcelona.

Uellsiani është në periferi të projektit të Juventusit dhe një marrëveshje huazimi mund të jetë një opsion, me Milanin të gatshëm për ta marrë lojtarin.

30-vjeçari mbërriti si transferim falas në korrik të vitit 2019 dhe marrëveshja e tij me bardhezinjtë skadon në qershor të vitit 2023.

Ramsey ka luajtur 65 ndeshje në të gjitha garat që kur iu bashkua Zonjës së Vjetër, por dy vitet e tij në Torino janë goditur nga një seri dështimesh, pasi ai ka humbur 18 ndeshje për shkak të lëndimeve.

Komento: