Z-Mobile e kërcënon sërish Telekomin me Arbitrazh – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Z-Mobile e kërcënon sërish Telekomin me Arbitrazh

16:43 | 31 Korrik 2019

Z-Mobile e kërcënon Telekomin: 300 mijë numrat janë tanët, ju çojmë në Arbitrazh.

Pasi Telekomi i Kosovës e ka përmbyllur zyrtarisht kapitullin që i kushtoi me humbje milionëshe me kompaninë Z-Mobile të udhëhequr nga Blerim Devolli, kjo e fundit ka kërcënuar Telekomin se do ta dërgoj çështjen në arbitrazh për shkak të 300 mijë numrave që Z-Mobile po pretendon se i takojnë. Veç kësaj, Z-Mobile po thotë se negociatat nuk kanë qenë të sinqerta, sepse Telekomi nuk ka dashur që të arrijë marrëveshje për vazhdimin e kontratës.

E gjithë kjo pasi Telekomi ka deklaruar se numrat e Z-Mobile i takojnë Telekomit tash e tutje.

Ndërsa Z-Mobile ka reaguar përmes një komunikate duke thënë se numrat janë pjesë e kompanisë Z-Mobile dhe nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër.

“Telekomi e di se numrat e Z Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do te kenë konsekuenca juridike”, thuhet në komunikatë.

Përveç kërcënimit, sipas Z-Mobile, Telekomi e ka pasur për obligim ligjor që negociatat t’i zhvillojë në mirëbesim për arritjen e marrëveshjes komerciale, por në fund ka bërë çdo veprim që të mos arrihet një marrëveshje.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të Z-Mobile:

Z Mobile me kujdes e ka vëzhguar situatën lidhur me përfundimin, respektivisht vazhdimin e kontratës me Telekomin e Kosovës, sipas kushteve të parapara në marrëveshjen bazë dhe për këto arsye nuk ka bërë deklarime publike, duke dashur t’i përmbahet obligimit që palët të negociojnë në mirëbesim.

Me këtë rast, deklarimet e Telekomit të Kosovës se kanë zhvilluar negociata në mirëbesim për vazhdimin e kontratës me Z Mobile nuk besojmë që janë të sinqerta.

Sipas bindjes sonë, që nga fillimi i kësaj periudhe, Telekomi nuk ka dashur të arrijë marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Z Mobile dhe për këtë fakte ekzistojnë dëshmi të shumta me shkrim, si dhe me paraqitjet e përfaqësuesve të Telekomit nëpër media.

Telekomi e ka pasur për obligim ligjor që negociatat t’i zhvillojë në mirëbesim për arritjen e marrëveshjes komerciale me Z Mobile, por ka bërë çdo veprim që të mos arrihet një marrëveshje.

Vazhdimi i kësaj kontrate ka qene në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent. Telekomi, duke vepruar në kundërshtim me obligimin për mirëbesim, ka zhvilluar kampanjë publike për devalvimin e bashkëpunimit komercial me Z Mobile, gjë që nuk e kemi pritur. Megjithatë, ne besojmë që këto veprime të Telekomit nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit as tregut te telekomunikacionit ne Kosove.

Në situatën e tillë, Z Mobile, duke u vënë para aktit të kryer për shkak të mosbashkëpunimit të partnerit, i mbetet pak mundësi të zgjidhjes përveçse ndjekjes së rrugëve ligjore, duke mos përjashtuar inicim të procedurës se arbitrazhit ndaj Telekomit.

Gjithashtu, nga deklarimet, kemi vërejtur se Telekomi synon ta bëjë edhe një veprim tjetër kundërligjor, marrjen e numrave dhe konsumatorëve të Z Mobile, duke e quajtur “periudhë transicioni”. Kjo është shumë e çuditshme, për shkak se edhe Telekomi e di se numrat e Z Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do te kenë konsekuenca juridike.

Z Mobile është kompani e përgjegjshme dhe do të bëjë zgjidhje për konsumatorët e saj, duke shfrytëzuar deri ne fund të gjitha mundësitë ligjore.

Ne i falënderojmë konsumatorët tanë për besnikërinë dhe i njoftojmë se nuk ka hapësirë për shqetësim, e as për të rënë nën ndikimin e fushatës publike kundër një kompanie private ushtruar nga Telekomi dhe aksionarët e saj.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!