
Milani ishte shumë pranë transferimit të Cristiano Ronaldos në janar të vitit 2018. Ish-drejtori sportiv i klubit, Massimiliano Mirabelli, ka zbuluar se marrëveshja ishte arritur si me Real Madrid ashtu edhe me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes, por gjithçka dështoi në momentin e fundit, pasi pronarët kinezë të klubit u tërhoqën.
Mirabelli tregoi se kontaktet e para u zhvilluan gjatë finales së Ligës së Kampionëve në Cardiff mes Juventusit dhe Real Madridit, ku përfaqësuesit e Milanit u takuan me Mendesin.
“E ndërtuam këtë ide dhe këtë projekt, dhe Cristiano e pa si diçka shumë interesante”, tha Mirabelli për Goal.
“Kur folëm, unë, Fassone dhe edhe Gattuso, ai na tha: ‘Do të vij te Milani. Nuk kam luajtur kurrë në Ligën e Evropës dhe dua të vij për ta fituar atë’”.
Sipas Mirabellit, Ronaldo ishte jashtëzakonisht i motivuar nga ideja për ta fituar Ligën e Evropës dhe mungesa e futbollit në Ligën e Kampionëve nuk ishte aspak pengesë për të.
“Ai kishte një motivim shumë të madh. Fakti që nuk do të luante në Ligën e Kampionëve nuk e shqetësonte. Ai donte të fitonte Ligën e Evropës. Ishte shumë i motivuar”, shtoi ish-drejtori sportiv i Milanit.
Real Madridi kërkonte 100 milionë euro për kartonin e portugezit, ndërsa ekzistonte edhe mundësia që kjo shumë të negociohej. Sipas Mirabellit, edhe kushtet personale me lojtarin ishin dakordësuar.
“Bëmë disa gabime”, Igli Tare reflekton mbi përvojën e tij te Milani dhe me Allegrin
“Kishim arritur të gjitha marrëveshjet, si me Real Madridin ashtu edhe me Jorge Mendes për lojtarin. Gjithçka ishte në rregull. Por më pas marrëveshja dështoi. Pronarët kinezë u tërhoqën”, zbuloi ai.
Në fund, Ronaldo u transferua te Juventus gjatë verës së vitit 2018 për 100 milionë euro, në një lëvizje që ndryshoi futbollin italian për tre sezonet në vijim.