Zëdhënësi i PDK-së fajëson Qeverinë për rrezikun e mosmbajtjes së zgjedhjeve në veri

20:48 | 13 Prill 2023

“Qasje sharlatane”, Abdullahu fajëson Qeverinë për rrezikun e mosmbajtjes së zgjedhjeve në veri.

Faton Abdullahu, zëdhënës në Partinë Demokratike të Kosovës, thotë se Qeveria e ka fajin për situatën e tanishme në veri, dhe për rrezikun e mosmbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas Abdullahut, veriu është institucionalisht “i zhveshur” nga Kosova, faji i Qeverisë, shkruan Reporteri..

Madje ai e quajti “sharlatane” qasjen e Qeverisë Kurti.

“Kjo Qeveri e ka fajin se pse sot veriu është i zhveshur institucionalisht nga Kosova, thjeshtë institucionet gati nuk funksionojnë atje. Kjo Qeveri me atë qasje sharlatane që ka pasur ku i thotë miku më i dëshmuar (SHBA) prit edhe dhjetë muaj mos u ngut dhe me atë arrogancë thotë jo, fillon e mbrapshta. Qeveria Kurti ka qenë më qasje sharlatane”, ka thënë Abdullahu në TV1.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nesër do të mblidhet për t’i diskutuar hapat përgatitorë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Reporteri.net.

“Ju njoftoj se mbledhja e radhës e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbahet të premten, më 14 prill, me fillim në orën 13:30. Në rend të ditës është planifikuar që nga anëtarët e KQZ-së të shqyrtohen dhe miratohen disa çështje në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 prillit”, tha Elezi.

Komento: