Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale tregon se a do të nisin hetime brenda Hagës për rrjedhje të dokumenteve

16:29 | 29 Shtator 2020

A do të nisin hetime brenda Hagës për rrjedhje të dokumenteve?

Për disa ditë me radhë një person i maskuar ka dërguar dokumentacione të shumta në zyrën e Veteranëve të UÇK-së.

Dokumentet e tilla që besohet se i përkasin Gjykatës Speciale, krerët e OVL-UÇK-së i kanë bërë publike dhe të disponueshme për mediat.

Një gjë e tillë ka nxitur reagimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë të cilët edhe kanë lëshuar një urdhër arrest për nënkryetarin e OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, meqë sipas Prokurorisë së Hagës ka dyshim të bazuar se Haradinaj me 3 konferenca të mbajtura ka frikësuar dëshmitarë, është hakmarrë dhe ka shkelur sekretin e procedurave.

Por a do të iniciojë Zyra e Prokurorit të Specializuar ndonjë hetim brenda Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar për dokumentet që kanë rrjedhur dhe që janë dërguar nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Hagës, Christopher Bennett ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep detaje për hetimet e saj.

“Zyra e Pakurorit të Specializuar nuk bën publike detaje të hetimeve të veta”, ka thënë Bennett.

Bennett gjithashtu ka rikujtuar komunikatën e lëshuar më 22 shtator, ku thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ndjek penalisht individët që zbulojnë identitetin e individëve të cilët mund të thirren para gjykatës apo nëse zbulojnë çfarëdo informacioni që mund të të çojë në identifikimin e tyre.

Derisa sot Nasim Haradinaj ka dalë për herë të parë para gjyqtarit të procedurës paraprake. Haradinaj ka thënë se nuk e njeh Gjykatën Speciale, derisa avokati mbrojtës ka thënë se Specialja s’ka juridiksion për ndjekjen e klientit të tij.

Komento: