Zëvendësimet i kushtuan Interit me barazim kundër Romës, shpjegohet Conte

18:36 | 10 Janar 2021

Antonio Conte i shpjegon zëvendësimet që i kushtuan Interit me barazim kundër Romës.

Trajneri i Interit, Antonio Conte, është arsyetuar për zëvendësimet për të cilat është kritikuar se i kushtuan skuadrës së tij me barazim 2:2 kundër Romës, në një ndeshje të cilën po e fitonte deri në çastet e fundit.

Pasi e gjeti veten në disavantazh pas golit të Lorenzo Pellegrinit në fillim të takimit, Interi i shënoi dy gola të shpejtë në fillim të pjesës së dytë, por e lejoi Gianluca Mancinin ta barazojë rezultatin në minutën e 86-të, raporton Gazeta Express.

Conte u kritikua pse i hoqi nga loja Lautaro Martinezin për Ivan Perisicin, Achraf Hakimin për Aleksander Kolarov dhe Arturo Vidal për Roberto Gagliardinin.

“Mendoj se ishte ndeshje e mirë edhe në pjesën e parë. Mos harroni se Roma e ka synimin e njëjtë si ne dhe i ka vetëm tri pikë më pak se ne, pra është në vendin e tretë. Nuk ishte e lehtë të luanim këtu”, tha Conte.

Ekspertët dhe gazetarët italianë e kritikuan Conten në veçanti për largimin e Hakimit nga loja.

“Vidal u lëndua dhe Gagliardini e zëvendësoi, Lautaro dha shumë për 75 minuta dhe doja që ai ta ndihmonte ekipin edhe në mbrojtje, Hakimi vrapoi shumë dhe po e humbiste topin shumë shpesh. I kemi luajtur tri ndeshje brenda javës, ata luajtën në secilën ndeshje dhe ne kemi zëvendësues për ta”, u arsyetua Conte.

Komento: