Zgjedhjet në Serbi/Arifi: Kurti ka përçarë shqiptarët e Luginës, s’do të kemi asnjë deputet

13:49 | 13 Dhjetor 2023
zgjedhjet-ne-serbi/arifi:-kurti-ka-percare-shqiptaret-e-lugines,-s’do-te-kemi-asnje-deputet

Vetëm edhe katër ditë, më 17 dhjetor do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Këto zgjedhje shqiptarët e Luginës do t’i gjejnë me dy lista.

“Alternativa Demokratike Shqiptare-lugina e bashkuar”, që udhëhiqet nga Shqiprim Arifi dhe “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, që udhëhiqet nga Shaip Kamberi.

E, fajtor që shqiptarët në këto zgjedhje po marrin pjesë me dy lista, Shqiprim Arifi po e lë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Arifi për Front Online thotë se si shkak i kësaj edhe mobilizimi do të jetë i dobët pasi ka përçarje të spektrit politik shqiptar në Luginë.

“Mobilizimi në këto zgjedhje është i dobët sepse prapë kemi përçarje të spektrit politik shqiptar në Luginë të Preshevës. Përçarja ka rrjedhë si pasojë e ndërhyrjes së Kurtit dhe normalisht që kjo ndikon në mobilizim sepse shqiptarët pra votuesit në Luginë të Preshevës përsëri do të jenë nga viti i kaluar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Edhe njëherë po hyjnë me dy lista në zgjedhje që janë të dëshpëruar dhe janë dëshpëruar aq shumë saqë mobilizimin nuk do ta kemi në nivel siç duhet”, është shprehur Kamberi për Front Online.

Madje, ai është skeptik që në zgjedhjet e 17 dhjetorit shqiptarët të kenë ulëse në parlament.

Sipas tij, përçarja që ka ndodhur do të ndikojë direkt tek votuesi shqiptar.

“Ne e kemi pas një tentativë që përmes ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që edhe njëherë të unifikojmë spektrin politik shqiptar ashtu siç e kemi unifikuar më 2020, por kjo tentativë u ndërpre me ndërhyrjen e Kurtit dhe përpilimin e Listës së Kurtit kundrejt Listës së Tiranës. Tash i kemi pra dy lista ajo e Tiranës dhe kjo e Kurtit dhe në këto zgjedhje unë jam shumë skeptik që nuk do ta kemi as edhe një deputet sepse kjo përçarja ndikon direkt në votuesin tonë i cili hakmerret ashtu siç u hakmarrë në vitin e kaluar në zgjedhjet e fundit”, ka thënë ndër të tjera Arifi.

Arifi: Lista ime nuk ka përkrahje nga Kosova, Shaip Kamberi është kukulla e Albin Kurtit

Shqiprim Arifi nga “Alternativa Demokratike Shqiptare-lugina e bashkuar”, ka thënë se lista e tij nuk ka aspak përkrahje nga Kosova për zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Arifi ndër të tjera deklaron se lista e tij është bërë shënjestër e kryeministrit Albin Kurti.

“Lista e Tiranës të cilën unë e përfaqësoj absolutisht nuk ka përkrahje nga Kosova, përkundrazi ka qasje të Kurtit e cila izolon Listën e Tiranës në Preshevë dhe e cila është bërë shënjestër e Kurtit në luftën asimetrike me Tiranën zyrtare, kështu që jo, lista jonë nuk ka përkrahje por çka ka bërë Kurti është që e ka përpilu vet një listë me disa pjesëmarrës të cilët nuk janë as parti politike vetëm me shti një emër aty edhe atë e përkrah por lista e Tiranës nuk përkrahet nga Kurti”, ka pohuar Arifi, për Front Online.

I, pyetur se përse ka ndodhur kjo ndasi dhe shqiptarët po garojnë me dy lista, Arifi ka thënë se lista e Shaip Kamberit është listë e Albin Kurti ndërsa Kamberit siç thotë Arifi është kukulla e kryeministrit Kurti.

“Është e vërtetë kemi dy lista, ajo e Tiranës dhe ajo e Kurtit, nuk është e Shaip Kamberit kjo listë por është e Kurtit. Shaip Kamberi është vetëm kukulla e Kurtit në Luginë të Preshevës ashtu siç është edhe Ardita Sinani kukulla e tij në Luginë të Preshevës. Ndasia, rrjedh nga mospajtimi i Kurtit edhe e Prishtinës me Ramën edhe me Tiranën. Ne nuk e kemi lejuar, unë personalisht nuk e kam lejuar që të hyjë në narrativen e Kurtit kundër Tiranës dhe për këtë arsye i kemi dy lista dhe dua ta them një fjali të qartë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, shqiptarët në Luginë janë përçarë nga Albin Kurti.

“Mos të thotë dikush që shqiptarët janë të përçarë në Luginën e Preshevës, jo shqiptarët janë përçarë nga Kurti për shkak të antipatisë që e ka ai ndaj Ramës dhe Tiranës në Luginën e Preshevës”, është shprehur ndër të tjera Arifi.

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar të martën një shkrim në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen në Serbi më 17 dhjetor.

Në shkrimin e tyre, LVV-ja ka treguar se e mbështet listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.

Tutje, në shkrimin e publikuar LVV-ja thotë se Serbia aktualisht udhëhiqet nga një regjim antishqiptar./Front Online

 

Komento: