Zgjidhja e kërkesave të SBASHK-ut bëhet me uljen e pagave të qeverisë, thotë Hoti

09:29 | 22 Janar 2019

Greva në arsim ka hyrë në javën e dytë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë Haradinaj për “mashtrime elektorale” teksa ka deklaruar se zgjidhja për kërkesat e sindikalistëve të arsimit për rritje page është e thjeshtë.

Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se PAN-i në zgjedhje kishte kërkuar votat e mësimdhënësve duke u garantuar rritje page, ndërsa tash “me arrogancë u kërkojnë ndërprerjen e grevës”.

“Dikur koalicioni i ‘punëve të mëdha’ kërkonte votat e arsimtarëve, duke iu garantuar 30% rritje të pagave. Tani me arrogancë u kërkojnë ndërprerjen e grevës. Mashtrimet elektorale kanë dalë sheshit. Kërkesat e SBASHK-ut duhet të merren në konsideratë, pasi nuk po kërkojnë rritje të pagës, por trajtim të barabartë në strukturën e pagave në sektorin publik”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, zgjidhja e problemit për pagat e mësimdhënësve është e thjeshtë. Këtu ka thënë se qeveria duhet të ulë pagat për vete në mënyrë që të gjejë lehtësisht zgjidhjen.

“Zgjidhja është e thjeshtë:
1. Qeveria të anulojë vendimin për dyfishimin e pagës për vete,
2. Projektligji i pagave të tërhiqet dhe të rishkruhet në konsultim me arsimtarët, mjekët, shërbyesit civil, policinë, zjarrfikësit, doganierët, inspektorët tatimorë, komunat dhe sektorët e tjerë”, ka shkruar më tej ai.

Sindikalistët e arsimit kanë hyrë në javën e dytë të grevës.

Komento: