Kush do të jetë kandidat i LDK-së për Kryeministër, flet Isa Mustafa

21:34 | 07 Gusht 2019

Isa Mustafa flet për kandidatin e LDK-së për Kryeministër.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur rreth kandidatit të partisë së tij për kryeministër të ardhshëm të vendit.

Mustafa ka thënë se “duhet të bëjmë një kombinim që të kemi njeriun që mund ta bëjë me sukses punën e kryeministrit”.

Sipas tij, kryeministri i ardhshëm i vendit do të përballet me sfida të vështira.

“Nuk do të jetë lehtë. Në periudhën që pason kemi tema të rënda, çështja e dialogut, marrëveshja përfundimtare me Serbinë, integrimet evropiane, euroatlantike, çështjet e brendshme të zhvillimit ekonomik, punësimit, funksionimit të shtetit ligjor”, është shprehur Mustafa.

“Kushdo që vjen, do ta gjejë vendin keq, brenda e jashtë, duhet të ketë dije, dhe përkrahje për t’i shtyrë këto çështje”, ka deklaruar ai.

Për kandidatin për kryeministër, ai ka thënë se partia e tij do të mundohet që ta bindë opinionin “që kjo është zgjidhja më e mirë për LDK’në”.

“Vetëm pajtimi brenda LDK’së nuk i siguron votat e popullit”, është shprehur Mustafa.

Ai ka deklaruar se tani për tani janë 5-6 vetë që mund të kandidojnë për kryeministër nga radhët e LDK’së.

“Unë i kam disa emra. Janë 5 apo 6 emra, që për sot s’është problem të vihet në krye të vendit”, është shprehur ai.

“Dikush ka përparësi të brendshme, e disa të jashtme, dhe duhet t’i matim. Pritjet duhet t’i harmonizojmë e t’i vëmë në pasqyrë…”, ka theksuar ai.

“Kemi njerëz të rinj e të vjetër”, ka thënë Mustafa, duke e përmendur edhe Fatmir Sejdiun si opsion.

Komento: