Serbia e tepron me kërkesën e saj për dialogun me Kosovën: Të përfshihen Rusia dhe Kina

11:56 | 13 Gusht 2019

Serbia kërkon përfshirjen e Rusisë dhe Kinës në dialogun me Kosovën.

Zyrtarë të lartë të Kosovës e kanë kërkuar disa herë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë. Në shtetin serb e kërkojnë përfshirjen edhe të Kinës dh Rusisë në bisedime, nëse aty hyn SHBA’ja.

Zëvendëskryeministri serb, Nebojsha Stefanoviq, në një intervistë dhënë për mediumin serb “Novosti”, ka thënë se nëse SHBA-të angazhohen në një dialog për Kosovën, atëherë Rusia dhe Kina duhet të bëjnë të njëjtën gjë.

I pyetur se a do të ketë ndonjë referendum për ndryshimet kushtetuese, dhe se të bëhet një zgjidhje për Kosovën në të njëjtën kohë me zgjedhjet parlamentare, Stefanoviq, ka thënë Serbia ka bërë shumë për ndryshimet kushtetuese dhe gjyqësorin.

“Është bërë shumë punë për ndryshimet kushtetuese në lidhje me gjyqësorin, por ka ende shumë punë për të bërë, kështu që nuk mendoj se është realiste të thirret ndonjë referendum me zgjedhjet. Kur erdhi në një referendum për një zgjidhje të mundshme të problemit të Kosovës, kjo nuk u diskutua fare, sepse Presidenti Vuçiq ka thënë shumë herë se ne jemi larg nga ndonjë marrëveshje, e lëre më një zgjidhje”, u shpreh Stefanoviq.

Në pyetje se a e fshehë vazhdimi i dialogut me Prishtinën ndonjë kurth në kuptimin se duhet të arrihet marrëveshja për njohje reciproke, Stefanoviq ka thënë se, rezultati i marrëveshjes përfundimtare me Kosovën do të jetë në të mirë të Serbisë.

“Këtu jam plotësisht i qetë, sepse në dallim prej të gjithë atyre “gjenive” të cilët e kanë udhëhequr Serbinë, tani me udhëheqjen e Vuçiqit, për herë të parë kemi politikë shtetërore e cila arriti që çështjen e Kosovës, e cila për fuqitë të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ishte çështje e kryer, ta kthejmë në rend dite. Tani ne pyetemi për ardhmërinë e krahinës sonë jugore, dhe ky është sukses i madh, për të cilin ka merita presidenti ynë Vuçiq. Dhe rezultati përfundimtar i çdo bisede mund të sjellë vetëm diçka çfarë është mirë për Serbinë”, u përgjigj Stefanoviq, transmeton lajmi net.

Në këtë intervistë, Stefanoviq ka treguar se edhe çfarë do të fitojë Serbia nga marrëveshja me Kosovën dhe nga bisedimet në përgjithësi.

“Vështirë është të thuhet, sepse deri dje kemi pasur, jo zero, por një minus të madh. Pak gjëra janë në duart e Serbisë, ka pasur aq veprime të gabuara prej vitit 2008 e deri 2012, sa që është pikëpyetje se çfarë mund të përmirësojmë dhe për çfarë janë të gatshme fuqitë e mëdha për të cilat Kosova është e pavarur. Në këto rrethana, suksesi ynë shumë i madh është se kemi arritur që ata të flasin me ne dhe t’i dëgjojnë qëndrimet tona”, u shpreh ai.

Stefanoviq po ashtu ka thënë se nëse Amerika përfshihet në dialog, atëherë edhe Rusia e Kina do të përfshihen në këtë proces dhe se përfshirja e tyre është krejtësisht e logjikshme.

“Dialogu është duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian dhe ka treguar disa kufij dhe në momente të caktuara është ndalur në disa pika. Mirëpo është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu, kuptohet nëse është e mundur në formatin ekzistues. Mirëpo, nëse SHBA-të përfshihen në dialog atëherë, do të ishte krejtësisht e logjikshme përfshirja e Rusisë por ndoshta edhe e Kinës”, u shpreh Stefanoviq.

Komento: