Mblidhet Kryesia e LDK-së në Podujevë, kush do të jetë kandidat për Kryetar?

17:36 | 08 Shkurt 2020

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë është mbledhur sot për të diskutuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë.

Në komunikatën e kësaj partie, thuhet se në ditët në vazhdim do të vendoset se kush do ta pasojë Agim Veliun në qytetin që udhëhiqet prej pasluftës nga Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Udhëheqësja e LDK-së nëPodujevë ka dhënë vlerësime për ish-shefin e Komunës që mori pozitë qeveritare në Kabinetin e Albin Kurtit.

Kjo parti ka shkruar se po bëhen gati për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 15 marsit.

Njoftimi i plotë:

Dega e LDK-së në Podujevës vlerëson kontributin e Kryetarit Veliu

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë mbajti sot mbledhjen e rregullt në të cilën u diskutua për zhvillimet e fundit politike, pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës, Agim Veliu, kontributin e të cilit e vlerësoi lartë.

Në mbledhjen e Kryesisë, të cilin e udhëhoqi kryetari i Degës së LDK-së, Agim Veliu, u diskutua për situatën e përgjithshme politike, me theks të veçantë situatën e krijuar pas dorëheqjes së z.Veliu nga posti i Kryetarit të Komunës, i cili ditë më parë u emërua Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Dega e LDK-së në Podujevë vlerëson lartë kontributin e Kryetarit Veliu në udhëheqjen e Komunës së Podujevës për disa mandate, kontribut, i cili gjithmonë mori vlerësimin dhe besimin e qytetarëve llapjanë.

Lëvizjen e Kryetarit Veliu nga pozita e të parit të Komunës për në Qeverinë e Kosovës, dega e LDK-së e sheh si fuqizim të Qeverisë së vendit, duke pasur parasysh përvojën dhe bagazhin politik të Kryetarit Veliu, por në të njëjtën kohë edhe forcimin e rolit të LDK-së brenda ekzekutivit të vendit.

Në mbledhjen e sotme është diskutuar edhe lidhur me përgatitjet për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës në Podujevë, të cilat do të mbahen me datë 15 mars.
Ishte vlerësim unanim se LDK në Llap ka kuadro, të cilët janë të dëshmuar dhe mund të japin shumë për Podujevën, por vendimin për kandidatin e saj LDK do ta marrë gjatë ditëve në vijim.

Kandidati i LDK-së do të ketë mbështetjen e plotë të strukturave, anëtarësisë dhe simpatizantëve, gjë që garanton fitoren e radhës LDK-së në Podujevë dhe ruajtjen e traditës së fitoreve që nga paslufta.

Podujevë, 08 shkurt 2020. /ORAinfo/

Komento: