Gruaja që u dyshua se ishte prekur nga koronavirusi kishte qëndruar në këtë qendër skijimi

10:12 | 09 Shkurt 2020

Është mësuar se në cilën qendër skijimi kishte qëndruar gruaja e cila u dyshua se ishte prekuar nga virusi kinez, i njohur si ‘coronavirusi’.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të pacientes, që dyshohej se ishte prekur nga koronavirusi.

Mirëpo rezultatet e analizave kanë konfirmuar se e njëjta nuk është e infektuar nga virusi me origjinë nga Kina.

Pra, koronavirusi nuk ka mbërritur në Kosovë.

Sipas IKSHP-së, pacientja nga Britania e Madhe që punon në Kosovë, para disa ditësh ka qëndruar në një qendër skijimi në Mont Blanc, Francë.

“Sot rreth orës 17.00 ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK se një paciente me nënshtetësi britanike është referuar nga Qendra Emergjente e Gjilanit për në Klinikën Infektive. Pacientja është staf ndërkombëtar në Kosovë dhe e njëjta ka qëndruar në një qendër skijimi në Mont Blanc, Francë, para disa ditësh. Pacientja është vizituar nge ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe në aspektin klinik ka pasur ethe të lehta dhe kollitje të lehtë”, thuhet në njoftim.

Më tej, jepen detaje lidhur me rezultatet e analizave.

“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ për të tri analizat, domethënë pacientja nuk është e infektuar me novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe me influenza A dhe B”, përfundon njoftimi.

Komento: