
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë idenë e zëvendësimit të taksës me masë të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, duhet të konsultohet me bizneset para vendosjes së masës së reciprocitetit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të konsultohet me komunitetin e biznesit, para se të vendoset masa e reciprocitetit me Serbinë.
Rukiqi thotë se kjo konsultë duhet të bëhet për t’i identifikuar kërkesat e biznesit.
“Në këtë aspekt duhet të kemi një qartësi. Unë e kam dëgjuar kryeministrin që të konsultohet me komunitetin e biznesit. I bëjë thirrje kryeministrit që bëjë konsulta që të mund t’i identifikojmë qartë kërkesat”, tha Rukiqi për Telegrafin.
Ai ka shtuar se reciprociteti nuk është masë e jashtëzakonshme.
“Kryeministri Kurti e ka publikuar qëndrimin e tij, ende jo vendimin, pasi që kjo është vendim qeveritar, që taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Unë reciprocitetin e kuptoj si diçka më normale, për shkak se nuk është masë e jashtëzakonshme, ndërsa taksën e kam konsideruar si instrument të jashtëzakonshme në të gjitha raportet tregtare, ku vendeve duhet t’i qasemi me reciprocitet”, tha ai.
Lexo edhe:
Shfuqizimi i taksës mes përkrahjes ndërkombëtare dhe kundërshtimit të opozitës
Po ashtu, Rukiqi në këtë intervistë ka folur edhe për planin ekonomik të koalicionit qeverisës, duke thënë se idetë e prezantuara duhet zbatuar në kontekstin ekonomik që është ndërtuar deri më tani në vend.