Thaçi pas takimit në Bruskel: Kosova ka kryer obligimet për vizat, KE të marrë vendimin

23:22 | 16 Shkurt 2020

Thaçi flet pas takimit në Bruskel.

Pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian, ka folur presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Thaçi mes tjerash ka thënë se ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij përgjigja e zyrtarëve të BE-së ka qenë se janë përmbushur kriteret por duhet pritur vendimin e Këshillit Evropian.

“Është e domosdoshme që Kosovës t’i ndodhë liberalizmi i vizave. Ne nga viti 2015-2016 kemi implementuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe pyetja ime është shumë e qartë për liderët e BE-së se çfarë duhet të bëjë Kosova që të ndodhë ky veprim dhe përgjigja ishte shumë e qartë që Kosova ka kryer obligimet e veta, tashmë mbetet nga Këshilli i Evropës të marrë vendimin politik. Shpresojë shumë që BE-ja gjithashtu të jetë unike në këtë të drejtë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Më tej Thaçi ka thënë se është diskutuar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të arritur marrëveshje përfundimtare.

Ai ka theksuar se marrëveshja mes dy vendeve mund të ndodhë vetëm me rolin udhëheqës të lidershipit të presidentit amerikan Donald Trump dhe administratës së SHBA-së.

“Ne në Bruksel kemi arritur marrëveshje të mëdha dhe historike në vitin 2013. Marrëveshje që këto e kanë sjellë ri-integrimin e Veriut të vendit në territorin Kosovës, dhe vënien nën kontroll të kuptimit administrativ dhe institucional të asaj pjese dhe integrimin e komunitetit serb. Kemi një normalitet të asaj gjendje që ka qenë jo normale jo demokratike, natyrisht se roli i BE-së duhet të jetë i rëndësishëm por roli i SHBA-së vazhdon të mbetet e pazëvendësueshëm”, theksoi ai.

Për Mini-Schengenin Ballkanik, Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova nuk do t’i ikë bashkëpunimeve rajonale, por sipas tij duhet të trajtohet barabartë si shtet i pavarur dhe sovran.

Ndryshe, në takimin e liderëve evropianë me ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri kr oat, Andrej Plenkoviq, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës të BE-së.

Po ashtu ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell.

Takimi në formën e darkës së punës është mbajtur në kuadër të përgatitjeve për samitin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor më 6 maj në Zagreb.

Komento: