
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka shkarkuar nga pozita 14 konsuj.
Për disa nga ta është raportuar se janë emëruar kundërligjshëm dhe se kanë pasur lidhje të ngushta me partitë. Në këtë listë bëjnë pjesë këshilltarja e Ramush Haradinajt, të afërm të zyrtarëve të partive politike e plot zyrtarë të AKR’së, të emëruar nga shefi i tyre, Behgjet Pacolli, sa mbante pozitën e ministrit të Jashtëm
Glauk Konjufca e ka nisur punën e tij me 14 shkarkime të konsujve të emëruar, dy viteve të fundit. Për shumicën prej tyre është raportuar se kanë qenë të afërt me partitë e PAN’it, e kanë qenë edhe pjesë aktive e tyre.
Në listën e të shkarkuarve nga ministri i Jashtëm është Diellza Hoti, ish-këshilltare e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila u dërgua si konsulle në Ambasadën e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Po ashtu është shkarkuar edhe dizajnerja Xheraldina Rexhepi, që ishte konsulle në Vjenë.
Ështa shkarkuar edhe Festim Lushtaku, nipi i zyrtarit të PDK’së, Sami Lushtakut. Festim Lushtaku, më parë ka qenë i angazhuar si asisten administrativ në konsullatën e Kosovës në Sttutgart.
Në listën e të shkarkuarve është edhe Modesta Imeri, bashkëpunëtore e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Citaku. Imeri mbante pozitën e konsullës në të njëjtën pozitë.
Bashkë me Xheraldina Rexhepin dhe Modesta Imerin, ish-ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, në vitin 2018, ka emëruar Kadri Balajn konsull në Mal të Zi dhe Lutfi Bilallin në konsull në konsullatën e Kosovës në Frankfurt. Balaj ishte zyrtar i Nismës ndërsa Lufti Bilalli zyrtar i AAK’së.
Është shkarkuar edhe Ngadhnjim Makolli, që ishte emëruar Konsull në Kanberra të Australisë, ka qenë zyrtar i AKR’s dhe në vitin 2017 e ka udhëhequr një degë të kësaj partie, derisa shefi i tij, Behgjet Pacolli, e bëri pjesë të diplomacisë.
Ai është emëruar konsull më 1 gusht të vitit 2019, gjatë qeverisë në dorëheqje.
AKR’ja, parti e vogël në Kuvend mandatin e kaluar, por me diplomatë të shumtë.
Liridon Sadrija, ish-këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ishte konsull në Hamburg të Gjermanisë. Edhe atë e ka shkarkuar Konjufca.
Po ashtu, ish-kryetari i degës së AKR’së në Gjilan, Ismet Hajdini, i emëruar konsull në Pragë, është shkarkuar sot.
Ramiz Ismajli ishte pjesë e AKR’së, që më pas u bë konsull në ambsadën e Kosovës në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe/
Në vitin 2018, Pacolli ka nënshkruar emërimin e Kadri Gërvallës konsull në Shtutgart të Gjermanisë. Gërvalla ishte koordinator i Nismës për Evropën.
Tre të shkarkuarit e tjerë të Konjufcës janë edhe Hënor Pakashtica, konsull në Sojfe të Bullgarisë; Xhavit Gërbeshi, konsull në Dyseldorf të Gjermanisë dhe Eshref Haxhiu, konsull në Doha, Katar.
Ministri i Jashtëm njoftoi se 14 shkarkimet po i bënte në pajtim me ligjin dhe se emërimet e tyre ishin bërë kundërligjshëm.