
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka paralajmëruar se kryeministri Kurti do të mbajë konferencë për media sonte në ora 18:30.
Sot është raportuar se anulimi i mbledhjes së rregullt të qeverisë ka ndodhur për shkak se ka pasur mospajtime mes krerëve të koalicionit rreth taksës 100 për qind ndaj Serbisë.
Sot është thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar në mënyrë eksplicite të largohet taksa – kërkesë kjo edhe e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në anën tjetër, kjo kërkesë është konfirmuar edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebookun e tij ka shkruar se taksa mbi mallrat serbe është pengesë për komunitetin ndërkombëtar, SHBA-të dhe BE-në.
Sipas Hotit, çdo shtyerje për heqjen e taksës e dëmton seriozisht pozicionin e Kosovës në dialog.
Një qëndrim i tillë është konfirmim i mospajtimeve mes VV-së dhe LDK-së për taksën, pasi që kryeministri Kurti nuk po e sheh si diçka urgjente.
Mbetet të shihet nëse konferenca e thirrur nga Kurti do të ketë të bëjë me këto zhvillime të sotme.