
President i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se në javën tjetër do të ndërmerr hapat për formimin e Qeverisë së re.
Përmes Twitter-it, ka theksuar se tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën.
Më tej u shpreh se qeveria e ardhshme duhet të jetë e aftë për të luftuar Covid-19 dhe për ti shërbyer popullit.
“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar # COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA dhe BE për Kosovën”, ka shkruar Thaçi.
Ndërkaq, të premten Thaçi, për herë të katërt me radhë ia ka kërkuar Kurtit emrin e mandatarit për kryeministër.
Në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, presidenti Thaçi edhe një herë i ka kërkuar Kurtit që ta dërgojnë emrin e kandidatit/es për Kryeministër pa humbur kohë.
“Përkundër kërkesave të dërguara më 2 prill 2020 (Ref. 354), më 10 prill 2020 (Ref. 354/1) dhe më 15 prill 2020 (Ref. 370/1), edhe në shkresën tuaj të dërguar më 17 prill 2020 (Ref. 122/2020), ju nuk keni propozuar kandidatin/en për Kryeministër, por keni theksuar se nuk jeni duke refuzuar për të propozuar kandidatin për kryeministër.
Më lejoni t’ua theksoj se mosrefuzimi nga ana juaj nënkupton që ta dërgoni emrin e kandidatit/es për Kryeministër. Por, ju nuk e keni bërë ende këtë, përkundër faktit që ua kam dërguar tri kërkesa për këtë qëllim”, ka shkruar në letrën e tij presidenti Thaçi.