
Thaçi ia bën me dije Lajçakut dhe Hotit se ka kompetenca për ta udhëhequr dialogun.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur sot para mediave për takimin që SHBA-të kanë ftuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, ku prezentë do të jenë edhe liderët serbë.
Para gazetarëve, Thaçi tha se krejt procesi do të jetë me transparencë të plotë, dhe se Kosova atje shkon me flamurin shtetëror, që sipas tij nënkupton integritetin shtetëror.
“Tërë procesi do të jetë me transparencë të plotë. Kosova në Uashington shkon me flamurin shtetëror që është integriteti territorial i Kosovës. Cdo paragjykim apo spekulim është krejt i panevojshëm. Në Shtëpinë e Bardhë zë fill pavarësia dhe liria jonë dhe kjo është arsyeja pse SHBA-të gëzojnë besim maksimal nga populli i Kosovës”, tha ai.
Tutje, sa i përket përfaqësimit në dialog, dilemës presidenti apo kryeministri, Thaçi tha se Kushtetuta e sqaron shumë kjartë.
“Ne do flasim me një zë, do të respektojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Do të kemi një koordinim të mirë ndërinstitucional. Konsultet po vazhdojnë, Kosova ka bartësit e institucioneve. Për të shuar mendjen dhe kureshtjen, përgjegjësitë janë shumë të qarta në përputhshmëri me Kushtetutën. Në të njëjtën kohë, do të punojmë ngushtë. Tek e fundit ne përfaqësojmë Kosovën në përballje me Serbinë, një shtet që ka kryer gjenocid në Kosovë”, tha presidenti.