Vuçiq tregon se për cilat tema mund të bisedojnë Kosova dhe Serbia në Uashington

12:47 | 26 Gusht 2020

Vuçiq: Përveç ekonomisë, Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë edhe për tema të tjera në Uashington.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq iu përgjigj spekulimeve se më 4 shtator në Uashington do të diskutohet edhe për statusin e Republikës Serbe.

I pari i shtetit serb është takuar me presidentin e Republikën Serbe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, ku kanë diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton b92.

Vuçiq ka mohuar kategorikisht se në kryeqytetin amerikan do të diskutohet për serbët e Bosnjës, duke thënë se mes Prishtinës dhe Beogradit do të diskutohet për ekonominë, por nuk përjashtohet mundësia të hapen edhe disa tema të tjera, transmeton Telegrafi.

“Me sa di unë, do të ketë bisedime për çështje ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës në Shtëpinë e Bardhë. Por, unë nuk i përjashtoj edhe temat e tjera”, tha presidenti serb duke mos dhënë shumë detaje.

“Kur ju shtroni pyetjen se pse Kosova ka të drejtë të shkëputet dhe jo Republika Serbe, unë nuk mund t’ju jap një përgjigje, madje as nuk di se kush mundet”, shtoi më tutje Vuçiq.

Ndryshe, kujtojmë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë shtyrë për 4 shtator pasi që ka mundësi që në to të merr pjesë edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Komento: