
A e ka pranuar PDK-ja ftesën e Hotit për takimin në Washington.
Kryeministri Avdullah Hoti akoma nuk e ka caktuar delegacionin me të cilin do të udhëtojë në Washington për takimin e 4 shtatorit, por ka thënë se do të jetë gjithëpërfshirës.
Hoti ka deklaruar dje se ka kërkuar nga partitë opozitare që t’ia propozojnë dikë, që ai ta marrë me vetë në takimin me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë sot për informimin tuaj kam dërguar letra të partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre. Do të jem i hapur që të krijojmë një ekip gjithëpërfshirës të të gjitha forcat politike”, ka thënë Hoti.
Ndërsa Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur negativisht ftesës së Hotit për takimin në Ëashington, PDK-ja e Kadri Veseli ende nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Reporteri ka kontaktuar me shefin e grupin parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, por ai ka thënë se nuk mund të japë një përgjigje rreth kësaj çështje pasi ka qenë në pushim.
“Qe ditë jam kthyer nga pushimi dhe jam në Mitrovicë, nuk di gjë rreth kësaj çështje, nuk e di as nëse janë mbledhur partia”, ka thënë shkurt Hamza.
Ndërsa Kadri Veseli po vazhdon vizitat në komunat e Kosovës dhe po hesht rreth ftesës së Hotit, Reporteri mëson se në këtë parti ka qëndrime “pro et contra” përgjigjes së ftesës së Hotit. Sipas burimit disa zyrtarë të PDK-së janë që ftesës së Hotit t’i përgjigjen pozitivisht, kurse disa të tjerë kundër.
Burimi ka thënë se ende kjo parti nuk ka vendosur nëse do të mblidhet për të diskutuar për ftesën apo jo të Hotit, por gjasat më të mëdha janë që të mos ketë fare përgjigje.
Kujtojmë se takimi mes palës kosovare dhe asaj serbe do të zhvillohet më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.