Pala serbe thonë se bisedimet në Bruksel të vështira dhe të pakëndshme

19:37 | 27 Gusht 2020

Pala serbe thonë se bisedimet në Bruksel të vështira dhe të pakëndshme.

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovë, Marko Gjuriq, ka dhënë detaje pas takimit të sotëm të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai me këtë rast bisedimet e sotme në nivelin e ekspertëve i ka quajtur si mjaft të vështira dhe të pakëndshme.

Gjuriq tha se në Bruksel është diskutuar në lidhje me personat e pagjetur dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Ai shtoi se në takim u përmend edhe çështja manastirit të Deçanit dhe asociacioni i komunave serbe.

“Ne gjithashtu theksuam nevojën për zbatimin e asociacionit të komunave serbe sa më shpejt që të jetë e mundur, duke theksuar se në vitet e kaluara, pasi marrëveshja nuk ishte implementuar”, tha Gjuriq.

Gjuriq deklaroi se ai propozoi në Bruksel që Beogradi dhe Prishtina të bien dakord për përmbajtjen e deklaratave të përfaqësuesve të të dy palëve pas takimeve brenda dialogut, por kjo nuk gjeti pajtimin e palës kosovare.

I pyetur nëse mund të priten tema të reja midis Beogradit dhe Prishtinës nga shtatori, Gjuriq tha se Beogradi pret që emisari evropian Miroslav Lajçak të përfundojë zbatimin e marrëveshjes për komunat me shumicë serbe.

“Ai finalizim ka qenë në pritje të shtatë vjet. Le të finalizojmë planin e zbatimit, i cili u mundëson serbëve të kenë kontrollin e tyre mbi sigurinë në zonat lokale, planifikimin e tyre hapësinor, shkollimin e papenguar, mbrojtjen e manastirit të Deçanit dhe gjëra të tjera,” tha ai.

Komento: