Kryeministri Hoti: Të pagjeturit janë plagë e hapur e shoqërisë sonë

19:33 | 30 Gusht 2020

Sot, është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur.

Me rastin e 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka priti sot në takim përfaqësuesit e Këshillit koordinues të shoqatave të familjarëve të të pagjeturve, të kryesuar nga Ahmet Grajçevci, kryetar.

Më këtë rast, Hoti tha se përkushtimi i Qeverisë së Kosovës dhe angazhimi për zbulimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet i përhershëm.

“Jemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje shumë e ndjeshme, një kapitull i dhembshëm për te gjithë ne, prandaj jemi duke bërë përpjekje maksimale që çështja e të pagjeturve pashmangshëm të jetë pjesë e marrëveshjes së mundshëm me Serbinë”.

Hoti kërkoi që të punohet më shumë për grumbullimin, sistemimin dhe arkivimin e dokumentacionit për personat e pagjetur.

Ndërsa, Ahmet Grajçevci, duke e njoftuar Hotin për ecurinë e procesit të kërkimit të personave të pagjetur, theksoi se deri tani janë gjetur afër 75 për qind e personave të pagjetur.

Ai e vlerësoi bashkëpunimin me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, si dhe kërkoi përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për funksionimin e këtij Këshilli.

Po ashtu, ai shtroi nevojën e përmirësimit sa më të shpejtë të Ligjit për familjarët e të pagjeturve, në mënyrë që të tejkalohen mangësitë në trajtimin e duhur të familjeve me personave të pagjetur

Komento: