Hoti e Zemaj nesër me konferencë të jashtëzakonshme, masat e reja nga kjo ditë

15:37 | 10 Nëntor 2020

Masat e reja, Avdullah Hoti e Armend Zemaj nesër me konferencë të jashtëzakonshme.

Kosova na e premtja pritet që të vë në fuqi masat e reja anti-Covid.

Megjithëkëtë, kosovarët nesër do ta mësojnë planin konkret të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë rreth këtyre masave që parashihet që të vihen në fuqi pas tre ditësh.

Kështu ka mësuar Express nga burime të sigurta nga Qeveria e Kosovës.

E ky vendim u mor nga Hoti pas takimit që pati me ministrat e Qeverisë që ai e drejton.

E Qeveria ka filluar punën me planin e ri që nga dje (e hënë), kur Ministria e Shëndetësisë ka dërguar propozimet.

Komunat e Kosovës, sipas këtij propozimi të Ministrisë së Shëndetësisë, do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër, e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Propozimi i zyrtarëve të kësaj ministrie ka ardhur pas rritjes së numrit të rasteve të prekura me këtë virus në baza ditore në Kosovë.

Vetëm të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar 596 të infektuar me 5 viktima me këtë virus.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë numri total i rasteve pozitive është 25.388 raste nga 110.041 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 773 raste të vdekjes.

Komento: