Punonjësit shëndetësorë në Prishtinë infektohen me të madhe me koronavirus

17:11 | 10 Nëntor 2020

Covid-19 i infekton me të madhe edhe punonjësit shëndetësorë në Prishtinë.

Për më pak se tri javë, rreth 57 punëtorë shëndetësorë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë infektuar me COVID-19.

Nga 19 tetori e deri më sot në QMF-të e kryeqytetit 57 punëtorë janë prekur me COVID-19.
Këto të dhëna ia dhanë Expressit zyrtarë të Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë.

E deri më tani në Kosovë nga COVID-19 janë prekur mijëra mjekë e infermierë.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka deklaruar se deri më tani në Kosovë janë të infektuar mbi 700 mjekë. Ai ka thënë se tash është vonë të analizohen mundësitë e parandalimit të infeksionit dhe duhet mobilizim dhe veprime nga institucionet.

“Nuk është më koha e parandalimit, është koha e veprimit sepse këtë po e tregojnë shifrat. Mendoj që kemi pasë mundësinë të bëjmë më shumë në periudhën e armëpushimit që kemi pasur për një muaj e gjysmë afër dy muaj – kjo kohë ka qenë për të bërë një analizë se si jemi sjellë ne si shoqëri gjatë asaj kohe, qeveria dhe institucionet shëndetësore se si ka shkuar menaxhimi me COVID-19 dhe të dalin me një përfundim”, tha ai.

Sejdu mes tjerash tha se mungesa e mjekëve si pasojë e infektimit me COVID-19 ka filluar të ndihet.

“Tash duhet të shikojmë se çfarë mund të bëhet. Profesionistët edhe psiqikisht edhe me përvojë janë më të përgatitur dhe do ta marrin më me sportivitet dhe të menaxhohet më mirë”.

“Por janë elementet tjera që sigurisht do të reflektohen si lodhja, infektimi në mesin tonë, janë rreth 700 mjekë që kanë kaluar nëpër këtë periudhë, vetëm javën e kaluar kanë qenë shtatë anesteziologë që janë infektuar dhe që janë kyçë në këtë luftë dhe mungesa e tyre veç ka filluar të shihet”.

Sejdiu mes tjerash tha se ka nevojë për bashkëpunim mes institucioneve.

“Ka nevojë për mobilizim dhe koordinim më të mirë ndërinstitucional”.

Komento: